Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka paralajmëruar qytetarët që të mos blejnë apartamente në portin e Durrësit. Nëpërmjet një postimi në Facebook, Meta shprehet se kjo aferë është një skemë e pastër piramidale ndërsa u kërkon qytetarëve të mos harxhojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve.
Më tej, Meta u kërkon strukturave të drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e kontratave shit-blerje në port.
“Mos blini apartamente në projektin e portit të Durrësit!
Mos bini pre e mashtrimeve të kësaj skeme të pastër piramidale!
I ftoj të gjithë qytetarët të mos bien pre e mashtrimeve dhe të mos shpenzojnë asnjë qindarkë për blerjen e apartamenteve në projektin e portit të Durrësit, që nuk është gjë tjetër veçse një skemë e pastër piramidale për vjedhjen e parave tuaja.
Në mungesë të plotë transparence, për këtë të ashtuquajtur projekt, nuk është publikuar asnjë memorandum, kontratë apo informacion se si do të bëhet ndarja e të ardhurave.
Është vetëm një aferë e pastër korruptive, që synon t’ju grabisë paratë dhe asgjë më shumë!
U bëj thirrje organeve të drejtësisë të reagojnë menjëherë dhe të ndërhyjnë për të penguar nënshkrimin e çdo kontrate paraprake shit-blerje, në kundërshtim të ligjit dhe në dëm të qytetarëve.”-shkruan Meta.