Ish-drejtoresha e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj është paraqitur mesditën e kësaj të enjteje në ambientet e GJKKO-së.
Hetimet për skandalin e dyshuar të tenderëve në AKSHI vijojnë në GJKKO, ku ish-drejtoresha Karçanaj është paraqitur në kuadër të procedurave gjyqësore.
Ajo fillimisht ishte vendosur nën masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa më vonë Gjykata e Lartë ka vendosur zbutjen e masës në “detyrim paraqitje”, duke e lejuar të vijojë procedurën në gjendje të lirë, por me detyrimin për t’u paraqitur periodikisht para organeve të drejtësisë.
Mirlinda Karçanaj, drejtoresha jetëgjatë e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit dhe personi që ka menaxhuar qindramilionë euro nga taksat e qytetarëve, u mor e pandehur dhe u vendos nën masën e sigurisë arrest shtëpie, bashkë me zëvendësdrejtoreshën Hava Delibashi. Tre biznesmenë, Andis Papa, Gëzim Hoxha e Rogers Rryta, u lanë në masë sigurie ndalim të largimit nga vendi.
Mirlinda Karçanaj, u mor e pandehur për veprën penale të shkeljes së barazisë në tenderë, kryer në formën e bashkëpunimit në kuadër të një grupi kriminal, krahas Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, një biznesmen tjetër fitues i prokurimeve të AKSHI-t, kompania e të cilit SOFT & SOLUTION, pati afro 18 milionë euro të ardhura dhe pothuajse 11 milionë euro fitime në vitin 2024.








