Nga Noela Yzeiri
Para pak ditësh “Studio Aperto” e Italia Uno dha një lajm shumë interesant që kishte të bënte me fitoren e radhës së arkeologjisë në atdheun e Ciceronit, Çezarit dhe Virgjilit. Fjala ishte për një restorant të McDonald’s, i cili është inaguruar së fundmi në provincën Marino të Romës. Pas debateve të shumta lidhur me ndërtimin e tij, ku gjatë gërmimeve u zbuluan rrënoja të qytetit antik, marka më e njohur e fast food-it në botë arriti të hapë restorantin e saj me kushtin që ky i fundit të ishte jo thjesht një restorant si gjithë të tjerët, por në të njëjtën kohë edhe një muze i vogël. Projekti ka bërë të dukshme dhe të vizitueshme për publikun një pjesë të Via Appia Antica, rruga romake që lidhte Romën me Brindizin në krahinën e Pulias, si edhe tre varre të ruajtura në gjendje të mirë, tek të cilët janë të ekspozuara edhe eshtrat e zbuluara gjatë gërmimit. Sipas kronikës, lokaliteti arkeologjik, i cili mund të shihet nëpërmjet një dyshemje qelqi përfshin një galeri nëntokësore prej 45 metrash e vlerësuar prej arkeologëve si rrugë dytësore, ndërtimi i së cilës daton në periudhën ndërmjet shekullit të dytë dhe të parë para erës sonë. Dy vjet punë dhe 300 mijë euro financim i ka kushtuar McDonald’s, vetëm rekuperimi dhe restaurimi këtij siti arkeologjik që është realizuar nën kujdesin e veçantë të Kryeinspektoriatit Arkeologjik, Arteve të Bukura dhe Peisazhit për zonën metropolitane të Romës, krahinës së Viterbos dhe Etrurias jugore.
E pashmangshme është në këtë kontekst të mos mendosh për atë që po ndodh tani në Durrësin që po vuan për të disatën herë dhunën dhe arrogancën e një sipërmarësi betoni, i cili në mënyrë të përsëritur gjatë gjithë viteve të mandatit të tij groposi njëherë përgjithmonë trashëgiminë historike të një qytetërimi të tërë. Gjushi miratoi leje ndërtimi në zonat muzeale të mbrojtura me ligj të veçantë, firmat e ndërtimit zhduknin natën çdo gjurmë të gjetur nga thesari arkeologjik i këtij qyteti. Prepotenca e Gjushit në KRRT mundtte çdo mendim kundër dhe si për çudi një njeri i vetëm u ngrit kundër shtetit duke mos pyetur as për Inspektoriat Kombëtar Ndërtimi, as për institucionet e ruajtjes së arkeologjisë, as për ministër dhe as për kryeministër dhe së fundmi as për Gjykatë Adminstrative. Një gjë e tillë për fat të keq nënkupton dhe shumë fajtorë në këtë maskaër, në këtë mynxyrë, në këtë turp kombëtar. Sot Gjushit, jo vetëm që nuk i ka hyrë gjemb në këmbë, por, përkundrazi po bëhet gati për mësymjen e tij të radhës kundër qytetit që e ka kthyer në një kantier ndërtimi, në një Rramallah të vogël që të ngjall krupën me pallate monstruoze e me betonin që ka mbuluar çdo hapësirë të gjelbër. Nga Durrësi, ku ne u lindëm dhe u rritëm nuk ka ngelur më asgjë, qyteti duket i marrë peng nga njerëz të pushtetshëm që mund ta shesin dhe blejnë atë sa herë të duan. Dhuna e të fortëve që komandojnë gjthandej ka mbjellë frikë dhe heshtje. Durrësi po përpëlitet në grahmat e tij të fundit për të ruajtur pasurinë arkeologjike që po duan t’ia shkatërrojnë me përdhunë, pikërisht mu në zemër të simbolit të tij, kalasë. Nuk besoj qe Gjushi ta di, por megjithëse dokumentat e shkruara flasin për ndërtime dhe rindërtime të kalasë së Durrësit gjatë sundimit të perandorëve Anastas, Justin, Justiniani I, gjatë sundimit të Karl Topisë, sundimit venecian dhe atij turk, ajo në themelet e saj është më e vjetër. Studiuesit thonë se ekzistenca e kalasë lidhet me ekzistëncën e vetë qytetit. Po sipas studiuesve një gravurë e H. Dome shoqërues i arkeologut francez Leon Heuzey, gjurmë të saj dukeshin në gjithë perimetrin e vet, edhe gjatë bregut të detit.
Ky kryebashkiak seç ka një urrejtje për të bukurën në përgjithësi, ndoshta shijet estetike të pakultivuara, formimi i çalë në histori, kultura e pakët dhe dritëshkurtësia deri në shterim kanë sajuar në Durrës një shëmti të përmasave të monumentale. Mesa duket vela e Gjushit kërkon të zhdukë gjithshka, për nga ngjyrat ajo me siguri do të ia kalojë edhe vetë fantazive hauajane të këmishave me palma, të shijes së çoroditur të një kryetari bashkie që nuk përfill historinë dhe nuk ndjehet aspak i turpëruar që e injoron atë.