Aktorja e madhe e teatrit, filmit, kinemasë shqiptare Hajrie Rondo u nda nga jeta në moshën 66-vjeçare.
Pak muaj më parë Hajrie Rondo u nderua me çmimin “Simbol i Qytetit” nga kryebashkiaku Erion Veliaj ndërsa preku zemrat e të gjithëve kur rrëfeu mes dhimbjes e forcës luftën me sëmundjen e mundimshme.
“I thashë sëmundjes ik tutje, se kam pak punë…”, u shpreh aktorja duke u kthyer në simbol force e frymëzim për të gjithë.
Mesazhi i plotë i aktores Hajrie Rondo
Faleminderit që kontributi dhe jeta ime ka qenë në vëmendjen tuaj.
Kur më bënë ofertën, zonjushat e nderuara, drejtoresha dhe Sonila, isha në dilemë: Do rri në shtëpi të mbyllem e të bashkëbisedoj me sëmundjen apo t’i them… def, ik tutje se kam pak punë. Zgjodha këtë të dytën dhe ia dola.
Me këtë rol le të kontribuoj pak, meqë është edhe muaji kundër kancerit të gjirit për t’iu thënë grave shqiptare të bëhen të forta. Jeta është e bukur dhe duhet mbajtur fort, me dhëmbë.