Nga Saimir Demi
Çfarë ndodh nëse dy shqiptarë do të jenë përballë për diçka? Nëse ajo gjëja nuk është e rëndësishme, atëherë do të puthen nga mëngjesi deri në darkë, do t’i fërkojnë krahët njëri-tjetrit, pa do të pinë dhe do të ngrenë dolli edhe për të katërtët në rradhë për nga rëndësia e pemës familjare dhe në fund do të ndahen duke u zënë për jetë a vdekje se kush do të paguajë faturën e davetit. Ndërsa, nëse takimi ka interes të ndërsjelltë do të therren për punë minutash, pa pasur kohë për t’u puthur paraprakisht. Kështu ka qenë gjithmonë, e përshkruar shumë mirë nga Konica, Ali Asllani, ndërsa tani e përshkruajmë vetë, mjaft që jetojmë në këtë vend të caktuar nga Zoti. Por, meqë ne ndoshta nuk jemi për t’u marrë në konsideratë, thjesht mjafton të ndjekim seancat e Parlamentit tonë, apo edhe atij të Kosovës. E shohim vetë se si ata që kemi zgjedhur të na përfaqësojnë mallkojnë deri tek fëmijët, të cilët ende nuk kanë lindur, që burri-burrin e kërcënon me hekurat e burgut edhe për një pisllëk që e kanë bërë bashkë, ndërsa zonja-zonjën edhe me bëmat e adoleshencës. Ne e shohim se si shqiptarët e Maqedonisë janë të gatshëm të kacafyten dhe të bëhen palë me çdo lloj sllavi, vetëm për ta shtyrë e pështyrë atë që i flet të njëjtën gjuhë. Në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanovc ankohen se si është e mundur që nuk janë në vëmendjen e tokës amë, ndërkohë që kanë ngritur dhjetë parti dhe në fund nuk nxjerrin dot më shumë se një deputet për t’u përfaqësuar në Parlamentin e Serbisë dhe ngritur zërin për hallet e tyre. Dhe meqenëse i rash kaq gjatë dhe bezdisa të gjithë dynjanë, dua të them që qëllimin e të gjithë kësaj parathënie e kisha për të treguar me gisht shqiptarët e futbollit. Kombëtarja jonë është kualifikuar për në finalet e Euro 2016, por as ky sukses, që mund të jetë i pari dhe i fundit, nuk na bën dot bashkë. Për të qenë i sinqertë dua të them (dhe le të më mallkojnë nesër), se brenda territorit të kësaj Shqipërie, ku jetojmë, nuk është se e honepsim shumë faktin që futbollistët kosovarë janë një faktor i rëndësishëm i suksesit tonë. Madje pa ata do ta kishim të pamundur t’ia dilnim, megjithëse për hir të injorancës, apo modernizmit të shpifur, një pjese të shqiptarëve të kësaj ane të kufirit, nuk i pëlqen qoftë edhe “dialekti” i disa shqiptarëve të asaj ane. Ndërsa në të kundërt, ndërkohë që Federata Shqiptare e Futbollit, meqenëse ka edhe një lloj aksesi, lobon për pranimin e Kosovës në institucionet që drejtojnë futbollin në Europë dhe në Botë, ende pa marrë miratimin, vëllai i vogël ka planifikuar të ndërtojë një përfaqësuese duke shkatërruar të madhin. Dhe kështu që kemi dalë në origjinë, si dy jetimë të lindur njëri diku dhe tjetri diku tjetër, të cilët nuk e ndjejnë më afeksionin e lidhjes së gjakut. Në një intervistë të fundit, trajneri Bunjaki i Kosovës ka thënë se me pranimin e saj në UEFA e FIFA, ky zotëria do të thërrasë në përfaqësuesen që drejton edhe Milot Rashicën. Arsyeja është e thjeshtë: “Shteti i Kosovës ka investuar te ai lojtar dhe natyrisht që duhet të luajë për të”. Milot Rashica është nga Vushtria dhe Bunjaki ka të drejtë që e dëshiron dhe që në një farë mënyre na bën edhe presion. Por në këtë rast, “shteti” nuk merr dot kuptimin klasik, madje kështu do të jetë gjithmonë. Ata të parët e Vushtrisë, kohë pas kohe kanë luftuar për pavarësinë e Shqipërisë dhe nuk është njëlloj si Argjentina me Paraguajin, që kanë një gjuhë, por nuk kanë një shpirt. Shqipëria dhe Kosova, o lum djali, nuk janë thjeshtë fqinj. Por “Bonjak” (nëse këndej e ka preardhjen mbiemri i trajnerit të Kosovës), në shqip i bie “jetim” dhe nëse të thërrasin kështu është thjesht rastësi, ndërsa nëse e ndjen… Nëqoftëse një ditë, meqenëse na është bërë edhe ne makth, do të na e marrin Milotin, Beratin, Shkodranin, bashkë me kapiten Lorikun (që nuk besoj se do të ndërrojë uniformë), Shqipëria do të mbetet ashtu siç ishte, apo diçka më pak për nga cilësia, ndërsa Fadili i Partizanit të Beogradit dhe Bonjaku po këta që janë, fiks siç ka thënë Konica: “Shqipëri të kam dhjerë, nuk të mora vesh një herë”.