Departamenti Kulturor i ambasadës shqiptare në Berlin ka organizuar hapjen e ekspozitës “499 965” të familjes Marubi, pionierët e fotografisë shqiptare, ekspozitë kjo që do të zhvillohet më 18 prill në orën 19:00 në Galerinë Irrgang në Berlin të Gjermanisë.
Ambasada shqiptare do paraqesë 35 prej këtyre fotografive me vlera unike historike dhe artistike të fotografëve të Foto Studio “Marubi-it”. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 25 prill. Italiani Pietro Marubbi u largua nga vendi i tij për arsye politike. Ai erdhi së bashku me pajisjet e tij fotografike dhe u vendos në veri të Shqipërisë, duke ndërtuar kështu një perandori fotografike, e cila është një thesar unik për Shqipërinë. Afro 500000 imazhe të Shqipërisë së vjetër janë shkrepur në disa dekada. Pa këto dokumente historike, vështirë se do të dinim sot sesi dukej Shqipëria në periudhën gjatë viteve 1858-1940.
Fotografi Pietro Marubbi ka bashkëpunuar me dy shqiptarë të rinj e të talentuar që e vazhduan punën edhe pas vdekjes së tij: Kel dhe Gegë Marubi, të cilët arkivuan në studio, mbi tre breza të Shqipërisë, në shekullin e 19-të dhe të 20-të. Këto ishin fotot e para në qytetin verior shqiptar të Shkodrës. Kjo studio fotografike është një muze që përmban një koleksion prej gjysmë milion fotosh.