Nga Avni Nezaj
Ngrihesh i qetë në mëngjes sipas mënyrës tënde me hallet dhe problemet individuale si çdo shqiptar tjetër, që të shkosh në punë apo sepse ke lënë ndonjë takim, apo se ke një angazhim që duhet ta kryesh.
Përballja e parë me ditën që çel është ndonjë gelbazë lëshuar në ashensor rishtas nga ai i fundit ose i parafundit që ka përdorur mjetin që te hyp e të zbret nga katet e pallatit. Gelbazë e madhe hallexhiu apo intelektuali pak rëndësi ka. Kujdes se mos e shkel. E në këtë kohë Covid-i, apo pas Covid-i është edhe e frikshme.
Ndërkohë në telefon të vjen njoftimi i mediave se Biden dhe Putin i dhanë dorën njeri–tjetrit. Dhe kjo largësia e vendit nga “halle” të tilla të mëdha duket sikur zvogëlohet. Më ngjan sikur jemi në diktaturë kur ishim kërthiza e botës.
Del te dera a pallatit dhe në të majtë e në të djathtë plehrat në qese. Shyqyr janë në qese të paktën. Kanë qenë ngutshëm ata të kateve të pallatit ose të pallateve të tjerë ngjitur që u bie rruga andej, e kanë përtuar t’i marrin në dorë e t’i hedhin në koshin që vetëm sytë nuk ua nxjerr në mes të rrugës e nuk kane ku kalojnë tjetër. “Kanë pordhë”. I heq pastruesja e shkretë.
Ndërkohë nga një media tjetër të vjen sërish një njoftim që edhe SHBA edhe Rusia ishin të kënaqur nga takimi. Ndërkohë Holanda e ka ndarë mendjen nuk do të na lerë të biem në barkun e Kinës, do na japë një “Po” të lodhur për negociatat.
Do t’i hipësh makinës. Bëje, por më parë mblidh nëpër xhamat e makinave të tjera numrat e telefonit që t’i thërrasësh nja katër nga komshinjtë e tu ose jo, që të vijnë të lëvizin makinat. Të kanë zënë rrugën e daljes e veç të fluturosh. Se ka dalë në modë tani. Lënë makinën në mes të rrugës ata që vijnë më vonë se janë “të lodhur” e nuk kanë kohë të kërkojnë parking diku më afër apo diku më larg, por e plasin aty e nuk mendojnë se mund të ketë njerëz që lëvizin edhe natën, se mund të kenë dikë të sëmurë apo se mund të duhet të shkojnë në punë edhe herët në mëngjes kur ata janë akoma duke gërhitur. Pastaj, mos o Zot nëse nuk ke ofertë ne telefon që të kesh mundësi t’i thërrasësh.
Menjëherë sapo lë telefonin në sedilje, ai dridhet sërish. E hap. Njoftimi tjetër është domethënës dhe shpresëplotë që teknologjia 5G do na vijë nga SHBA e jo nga Azia.
Dole më në fund nga parkingu pas 20 minutash telefonata aspak 5G, por marshe para e pas, e merr rrugën i “pastrehuar” për në angazhimin tënd. Sapo del në rrugën e lagjes, furgonët bëjnë kërdinë për një furnizim me një pako patatina apo një kilogram mollë, parkojnë e bllokojnë çdo kalim.
Ndërkohë telefoni dridhet që të sjellë njoftime të tjera. Kësaj here ishte një lajm social. Abonetë e përgjithshme hiqen në Tiranë. Tani në çdo linjë do paguani. Sapo kanë marrë votën që të ndihmojnë qytetarët por vetëm për votë ishte premtimi për abonenë. Dhe askush nuk proteston, ka vdekur reagimi. Nejse. Njerëz të vjedhur vazhdimisht nga Rilindja qysh prej 8 vitesh e vetëm shikojnë telenovela. Bukë kanë në shpi. Kjo i mundon qysh nga Lufta e Dytë Botërore. Buka….
Të shkoftë mbarë, edhe 20 minuta të dalësh në një rrugë kryesore ku ka edhe semaforë. Por ku e rruajmë ne për semaforë apo për policë qarkullimi që qëndrojnë si kunja në mes të rrugë e shikojnë batërdinë e papërgjegjshmërisë së shoferëve që janë vonë. Te gjithë janë vonë…
Kalon semaforin e parë, edhe të dytin e pastaj, kujdes shoku se ka kamionë, betoniere… në 8-të të mëngjesit. Me qetësi kalojmë edhe këto pengesa pasi mund të përjetosh shikime shtrembër e sharje nën dhëmbë të shoferëve të këtyre makinave të mëdha, se pse po i parakalon. Sikur edhe ne për beton kemi dalë nga shtëpitë. Shqipëri hesapi.
Prapë telefoni. Kujdes nga mashtruesit që janë në zyrat e shtetit… Pse ka mashtrues e hajdutë në zyrat e shtetit. Haaaahhhaaa. Ato janë mbushur plot. Bile, nëse Spiropali do të bëjë ndonjë film për këtë soj njerëzish, aty i gjen me shumicë. Lajm i vjetër ky.
Turresh me shpejtësi që të kapësh orën e fillimit të punës por është e pamundur. Makina e plehrave, të cilat në të gjithë botën punojnë natën, ia nis punës në 8 të mëngjesit dhe punëtorët e kanë me nge. Heqin një kazan e vënë tjetrin, 5 copë nga 3 minuta 15 minuta. Rruga herë e bllokuar e herë zhbllokuar. E në fund pas aromës “Bio” që të përplaset në surrat mund të ecish sërish.
Për të shpëtuar nga trafiku, mundohemi t’i hyjmë një rruge nëpër një lagje, por s’kemi fat. Ka mbërritur autoboti me ujë. E ju nuk e kuptoni (disa e kuptojnë, si unë) se çfarë gëzimi është kur vjen autoboti. “Hajde ujë Selite” e të gjithë në rresht si në kohën e vajgurit duke pritur që të mbushen bidonat në “kroin” e autobotit. Njerëzit nuk pyesin se aty ka rrugë dhe kalojnë makina. Të duket sikur të thonë mos i bjer borisë, mos kalo, po mbushim ujë. S’kanë faj, pa ujë je i mbaruar, plus që ta blesh në dyqan është edhe shtrenjtë. Bashkia do t’i sjellë ujë Tiranës, por në shekullin tjetër më duket.
Tiranasit kanë disa vjet që në çezmat e shtëpive të tyre kanë ujë që nuk pihet dhe që është i dëmshëm për shëndetin. Thjesht nëpër mendje bëj llogarinë e ujit që paguajmë çdo muaj dhe të ujit që blejmë çdo ditë. Fatura me rrotullohet diku tek 60 -70 mijë, të vjetra. Më shumë se në asnjë vend të botës. Shqiptarët heshtin dhe pinë dhe përdorin atë që u sjell Veliaj në çezme, ose e blejnë. Ai që merr pension, vetëm për të pirë ujë jeton…
Prapë telefoni. Gazetarë të zellshëm. Veliaj sapo ka përuruar një ujësjellës të ri. Në Astir thuhet ne njoftimin me lajm të fundit. Rilindasit tallin leshtë me popullin, thashë me vete, se me zë të lartë mos, të “dëgjojnë”. Asnjë kryeqytetas nuk ka ujë të pijshëm në shtëpinë e vet e ky përuron vjedhjen e radhës me duket… pa pikë turpi.
Betejë e humbur për të mbërritur në kohë aty ku ishim nisur.
Nisemi me shpejtësi pa menduar tashmë për kohën. Shikoj një ambulancë që “gërhet” me të madhe që t’i hapë dikush rrugën, por askush nuk e shikon dhe nuk e dëgjon sirenën e saj të fortë. Ka ardhur koha që të sëmuresh në oborr të spitalit përndryshe gjysmë dite të duhet të mbërrish atje. Se trafiku është ne modë tani.
Njoftimi i radhës është më pikant se vjen nga disa drejtime. Shqipëria ka shumë nevojë për demokraci që t’i hapen negociatat dhe BE si vend simbol i demokracisë nuk është e bindur aspak nga rrumpallhania e qeverisë rilindase të Ramës me propagandë dhe diplomatë të blerë.
Ndërkohë në rrugë vijon beteja jonë më “stresin shqiptar”.
Ndalen qetësisht e bëjnë muhabet nga makina në makinë. Bllokojnë të dy krahët. Nganjëherë më duket se nuk janë ngjarje reale, por janë të prekshme, e dilema e jorealitetit bie menjëherë.
Njoftimi i fundit që më vjen në telefon nga mediat pak para se të mbërrija në punë është se “opozita po zgjohet” ka mbledhur kryesinë këto ditë dhe Kuvendin kombëtar pas disa javësh.
Ndërkohë gjeta parking pa u sharë më asnjë person, pa u shikuar me inat me asnjë tjetër. Kontrollova mirë për tabelat, ndryshojnë përditë. Shikova edhe vijat çfarë ngjyre janë në dyshemenë e asfaltit se ndryshojnë përditë në varësi të shijeve të hajdutit të radhës që punon në bashki.
Dhe puna nis me “stresin” në minimum. Në pritje, pasi opozita qenka zgjuar, që ajo të lajë sytë e të rregullojë imazhin, të pastrojë dhembët dhe të dalë për stërvitje…
Ndërkohë Rilindja po bën planet për pushimet e verës që në shtator të rinisë bindshëm me justifikimin e atyre të zezave që ka bërë 8 vjet.