Pas rikonfirmimit në krye të PDIU-së, Shpëtim Idrizi ka falenderuar 20 mijë anëtarët e partisë së tij që morrën pjesë në zgjedhje me parimin “një anëtar, një votë”.
Ai deklaroi se është prishur përfundimisht statusquo-ja e partive politike në jetën e vendit.
Nuk ka harruar të çmojë edhe pjesëmarrjen dinjitoze në garë të rivalit të tij për postin e kryetarit, Halil Hyseni.
Më poshtë fjala e plotë e Shpëtimit idrizit pas rizgjedhjes në krye të PDIU-së.
Të nderuar anëtarë të kësaj familje të madhe,
Dje u zhvillua etapa më e rëndësishme e procesit më demokratizues që nga themelimi i PDIU-së dhe në historinë e pluralizmit shqiptar:
Zgjedhja me parimin “një anëtar, një votë”, të kryetarit të parties, të delegatëve të Kongresit dhe kryetarëve të partisë sipas ndarjes së re territoriale.
Procesi nisi me çeljen e anëtarësimeve të reja, vijon me tubimet entuziaste të PDIU-së, nga veriu në jug, nga lindja në Perëndim, nga Dibra, Lezha në Devoll, në Sarandë, Fier, Pogradec e Tiranë, Elbasan e Tiranë.
Dje ishte etapa e votimit dhe më 4 qershor do të jetë Kongresi, si moment përmbyllës i një procesi unik që na dha kënaqësi të pamasë. Një falenderim i madh për të gjithë pjesëmarrësit në votim, për komisionerët, për të zgjedhurit e rinj.
Dua të shpjegoj këtu si e kuptoj unë këtë cilësi dhe sasi të re. PDIU-ja nuk ka qenë asnjëherë pjesë e ndonjë kabineti qeveritar dhe për pasojë mbështetja jonë është për ta ndryshuar statusquo-në. Motivet e pjesëmarrjes të të gjithë atyre burrave dhe grave, të rinjve e të rejave, e të moshuarve që prisnin në radhë për të votuar, nuk janë lidhur me botën e interesave, cilatdo qofshin ato.
Unë kam bindjen se ky votim ishte një përkryerje cilësore dhe sasiore e partisë sonë.
Në pikëpamje cilësore procesi në fjalë ishte dëshmi e shpresës, e energjisë së çliruar të brezit të ri që nuk identifikohet me parti tradicionale apo interesash.
Ky votim ishte dëshmi e besimit tek PDIU-ja si parti e patriotizmit modern.
Ky votim ishte dëshmi e përkryerjes së një makine organizative si partia jonë. Ky votim ishte provë se PDIU ka hedhur rrënjë të forta në realitetin politik kombëtar dhe do të afirmohet fuqishëm në zgjedhjet e ardhshme.
Kjo etapë e rritjes së pandalshme të PDIU-së, në pikëpamje cilësore do të sjellë në drejtim të partisë figura të reja, siç tregoi numërimi. Kjo ishte prova më e madhe e hapjes së PDIU-së ndaj fluksit pozitiv të njerëzve, të ideve brenda frymës kombëtare.
Procesi ishte në pikëpamje sasiore, pjesëmarrje e mbi 81% të anëtarësisë së partisë në gjithë bashkitë e vendit. Ky votim ishte pjesëmarrje e gjithë brezave të shoqërisë sonë. Votimi i djeshëm ishte një fotografi e shkëlqyer e dëshirës së tyre për pjesëmarrje në jetën politike.
Etapa e djeshme më konfirmoi si kryetar të PDIU-së, duke ligjëruar njëherësh rrugën e ndjekur deri më tani prej partisë sonë. Ju falenderoj të gjithëve për votën pro meje apo kundër meje, për sakrificën me pjesëmarrjen masive në një ditë pushimi, për mesazhet e shumta kuptimplote që më dhatë me këtë votim.
Përqindja reale që mori rivali im ishte legjitimim i procesit zgjedhor, që bëhet kështu proces unik gare në gjirin e partive parlamentare. Unë e falënderoj zotin Halil Hyseni për pjesëmarrjen në garën që e pasuroi historinë e partisë sonë me profilin e tij, me idetë dhe platformën e tij.
Dita e djeshme ka qenë ditë kënaqësie e jashtëzakonshme personale, pse konfirmoi drejtësinë e vijës sonë si parti kombëtariste dhe jo komunitare; si parti me bosht ideologjik të qartë; si prishëse e statusquo-së së partive të vjetra tradicionale, si parti e shpresës, si parti e së ardhmes.
Unë zotohem solemnisht përpara anëtarësisë së re dhe asaj të vjetër, para gjithë brezave të anëtarëve dhe simpatizantëve të PDIU-së, para dhëndurëve të Çamërisë, si i quaj unë të moshuarit që kanë ende shpresë të shohin vatrat e tyre. Se bashkimi kombëtar do të jetë busulla jonë politike e pandrysheshme, se zgjidhja e Çështjes Çame do të jetë objektivi ynë i palëkundur, derisa të kemi frymë, se amanetin nuk e tret dheu. Prej dje unë, ne të PDIU-së, ndjehemi më të fortë për t’ia rinisur betejave të reja për këtë objektiv, me busullën e Kombit që na tregon hartën e rrugës sonë.
Dita e djeshme ishte një ditë e veçante për mua. Nuk është fitorja që më gëzon, madje as gara. Nuk është rezultati që më mahnit e as pjesëmarrja mbrësëlënëse. Dje, isha dëshmimtar i një vullneti të përbashkët, një dëshire për t’u angazhuar, një qëllimi të patundur për të çuar përpara nismën tonë disavjeçare. Dje, vërtetuam te kushdo se ne jemi një familje e vërtetë politike, një familje e madhe, me prani në të gjithë vendin, me qytetari e maturi, pa fëmijë plangprishës e me solidaritet. Kjo familje, familja jonë, më besoi të jem shërbëtori i parë, për ta drejtuar në katër vitet e ardhshme. 20 mijë pjestarë të familjes sonë votuan në mbarë vendin. Mes tyre, pata kënaqësinë të takoj të moshuar 80 e 90 vjeçar. Ata nuk vijnë për një vend pune, nuk vijnë se ishin partizanë apo ballistë, nuk vijnë për privilegje dhe dekorata. Ata vijnë, sepse janë prindërit e gjyshërit në një familje, krejt ndryshe nga sa kemi parë në 25 vite politikë tranzicioni.
Dje, ju ishit dëshimtarë të nënave me fëmijë të vegjël, që erdhën se bashku këtu, për të votuar. Pamë baballarë, që shoqëroheshin nga pasardhësit e mitur për të marrë pjesë në këtë proces. Të jem i sinqertë këtë atmosferë nuk e prisja. Mirëpo, ku tjetër se në një familje mund ta shohësh diçka të tillë?
Mbi 200 komisionerë u angazhuan në të gjithë vendin, e mbi 200 të tjerë në shtabet zgjedhore: të gjithë vullnetarë, të palodhur, pa kërkuar asgjë më shumë sesa të kryejnë një proces model, sikurse ia arritën. E pra, kjo ndodh vetëm në një familje të vërtetë.
Prandaj, zgjedhja e sotshme është për të qenë në krye të sofrës sonë të përbashkët. Ky është nder që njeriu mund ta ketë shumë pak herë në jetë. Prandaj, ju jam mirënjohës dhe ju përulem vëllazërisht.
Ky privilegj sjell një përgjegjësi të posaçme. Përgjegjësi për ta mbajtur sofrën tonë politike në ballë të betejës së kauzës së drejtë; për të mbajtur gjallë për zgjidhjen e Çështjes Çame dhe për bashkimin kombëtar, për të fuqizuar kohezionin mes nesh dhe për të qenë më të bashkuar e më të shumtë se asnjëherë më parë.
Dëshiroj të falenderoj edhe një herë bashkëkandidatin tim, Halil Hysenin, për gjithçka që ai përfaqëson, si një vlerë e shtuar e partisë sonë. Ju garantoj se një pjesë e platformës së tij do të integrohet në programin politik të PDIU dhe se Halili do të luajë një rol të veçantë edhe të nesërmen e kësaj gare.