Nënkryetari i Kuvendit të Shqipërisë i është drejtuar ligjvënësve shqiptarë me një fjalim të hidhur, veçanërisht tani që Çështja Çame është njohur nga Komisioneri Hahn, por ka vështirësi të pranohet nga politikanët shqiptarë, ndërsa Greqia i bie mohit.
Ai ka rrëfyer disa eksperienca njerëzore që i mëshojnë faktit se Çështja Çame është një çështje e së sotmes dhe e jo e së shkuarës, sepse kurrë në historinë Europiane dhe perëndimore genocide nuk është mbuluar me harresë, sado që koha të ketë kaluar.
Megjithatë Idrizi del jashtë kufinjve të urrejtjes dhe shpall se shqiptarët kërkojnë zgjidhjen e Çështjes Çame, sepse duan të falin persekutorët.
Më poshtë fjala e plotë e Shpëtim Idrizit, kryetar i PDIU-së.
Të nderuar kolegë,
Kadrije Pronjo ishte një zonjë nga Paramithia, e cila u shua pak vjet më parë në Shtetet e Bashkuara. U bë qytetare amerikane, por nuk mundi kurrë të shihte Paramithinë apo Ajdonatin, nga ku e përzunë përdhunshëm atë dhe gjithë fisin e famshëm të Pronjatëve prej tokave dhe pronave të tyre.
Çështja e saj, megjithëse ajo shkoi të takohej me të rënët në parajsë, është ende e hapur dhe është e së sotmes dhe jo e së shkuarës.
Resul Demi është djali i Musa Demit, firmëtarit të pavarësisë. Ky zotëri, të cilin shumë bukur e njihni dhe mjaft prej jush, nuk kërkon asgjë më shumë, por oxhakun e tij në Filat. Nuk e lënë dhe drama e tij është e së sotmes, jo e së shkuarës.
Hysni Idrizi është babai im dhe e kanë shpallur kolaboracionist, kur ishte vetëm 2 vjeç. Kërkon të heqë këtë njollë turpi që ia vunë në shpinë, teksa ishte foshnje. Kërkon veç të pijë një kafe në Margëlliç dhe nuk e lënë. Çështja e tij është e së sotmes, jo e së kaluarës.
Simon Wiesenthal ishte një inxhinier e shkrimtar hebre, i mbijetuar i holokaustit, i cili në gjithë botën njihet, sepse ju vu pas nazistëve që kishin ndërruar identitet. Ishte “gjuetar” i tyre dhe gjeti shumë e shumë syresh, kudo të përhapur nëpër botë si zogjtë e korbit, sepse çështja e tyre i përkiste dhe i përket ditëve tona, të sotmes, jo të shkuarës.
Zonja dhe zotërinj,
Genocidi, ndaj kujtdo qoftë nuk i përket kurrë së shkuarës, por të sotmes, nëse nuk ka mbërritur ndjesa.
Dom Ernest Troshani, tashmë Kardinal Troshani u kthye në atdhe dhe tha se i ka falur persekutorët e tij.
Edhe ne çamët këtë duam të bëjmë, dëshirojmë të falim persekutorët tanë. Këtë dëshironte zonja Kadrie, zoti Resul, babai im, Hysniu. Këtë dëshiroj dhe unë si bir. Kërkojmë të falim dhe të pranojmë ndjesën.
Por, ata as këtë mundësi nuk dëshirojnë të na e japin, sepse thonë që Çështja Çame nuk ekziston, ndërsa ne, vetë, ligjvënësit e Shqipërisë, drejtuesit e saj themi që i përket të shkuarës.
Jo nuk i përket, ashtu si nuk i përket holokausti të së shkuarës dhe nazistët përndiqen sot e kësaj dite. Ashtu si krimet e komunizmit, të Stalinit nuk i përkasin të shkuarës, por të sotmes në ish-Lindje. Ashtu si masakra e Raçakut në Kosovë nuk i përket të shkuarës, ashtu dhe Çështja Çame nuk i përket asaj, por po e përsëris, i përket së sotmes sonë politike, historike, shoqërore, ekonomike, kulturore.
Nuk e kemi as mundësinë, as tagrin historik që askush nga ne të futet në sinore kohore dhe të mundohet të vendosë në gjumë një Çështje të shqiptarisë si Çështja Çame.
Nuk na e jep këtë lehtësi të papërballueshme që të përdorim kohën si çelës i zgjidhjes as etërit themelues të Kombit, as e vërteta historike.
Çështja Çame është çështje ditës dhe këtë pas shumë përpjekjesh e kuptoi Komisioni Europian, qeveria e Europës, ku të gjithë frymojmë që të integrohemi.
Po pse mendoni ju që kjo çështje u ngrit në nivelin e Komisionerit Johanes Hahn dhe u fund në agjendën Tiranë-Athinë-Bruksel? Nuk do ishte e rehatshme për Europën t’i vendoste kapakun e harresës, e asaj që ne e thërrasim “të shkuar”?
Nuk është e lehtë as për ata që nuk janë as shqiptarë e as grekë, sepse familja e përbashkët ndërtohet pa skelete në dollapë, pa kufoma në varre që askush nuk i di se ku janë. Familja ndërtohet në bazë të së vërtetës që shihet në sy sot dhe ndjesës që jepet nesër. Këtë kërkojmë të japim faljen.
Nuk është aspak e lehtë të falësh, por jemi gati të falim, por nuk jemi kurrë të gatshëm të harrojmë.
Dhe kur flas në shumës këtu nuk kam parasysh çamët, por shqiptarët. Nuk do të falim vetëm ne, të asaj krahine, por të gjithë shqiptarët, sepse Çështja Çame është Çështja e Kombit.
Ndaj, për këtë tragjedi jo të harroni dhe të gjeni paqe tek myku i së shkuarës, por të gjithë duhet të shkundeni për Çështjen Çame.
Pa dallim, politikanët, partitë në Tiranë, Prishtinë, Tetovë, Ulqin, Preshevë dhe diasporë, mediat që përdorin gjuhën shqipe, historianët, etnografët, folkloristët, qytetari i thjeshtë që e ka një zë diku në rrjet. Të gjithë, pa dallim gjinie, krahine apo ideje politike.
Është koha e themelimit të një Aleance të shqiptarisë, e cila le ta nisë ndreqjen e padrejtësisë historike me Çështjen Çame. Të bëhen tok gegë e toskë dhe të kërkojnë të drejtën e tyre që ju është mohuar, këtu e gati një shekull.
Dhe falë Zotit, nuk jemi vetëm. Pas mbështetjes që na dha Brukseli, nuk mund të qëndrojmë apatikë dhe të flasim me një gjuhë të pamjaftueshme.
Zoti kryetar i Kuvendit,
Unë kuptoj shumë nga politika, vitet e shumta pjesmarrje më bëjnë të besoj tek kompromisi, aleancat fluide, madje edhe tek llogaritë elektorale. Por, në politikë i dashur ka disa detyrime që nuk i shmang dot.
Fjala vjen, meqë të dy jemi në majën e drejtimit të Parlamentit, e dimë që rezolutat e këtushme, edhe ato të votuara dikur, pra në të shkuarën, janë të detyrueshme për të sotmen.
Në Athinë për juve dhe kolegët që ju shoqëruan ka qenë detyrim Rezoluta Çame.
Nuk e fsheh habinë time për gjuhën që zgjodhët në Athinë, sjelljen më shumë se sa sofistikuar, një ditë pasi mikpritësi juaj Nikos Kotzias firmosi një letër ku Komisioneri Hahn u shpall armik i klasës, vetëm se përfshiu në agjendë Çështjen Çame.
Shpresoja të shihja në sjelljen tuaj të atjeshme, të paktën kryeministrin e vitit 1999, kur vizitonte Athinën ose kryetarin e LSI-së, kur organizonte tubime për Çështjen Çame.
Ma merr mendja se do jenë çuditur edhe vetë grekët, të cilët me siguri nuk prisnin të ishin në të njëjtën gjatësi vale me ju për të harruar një çështje, të cilën nuk e harrojnë asnjë nga qytetarët e tu dhe së fundi as europianët.
Zoti kryetar,
Ju thoni ta lëmë të shkuarën dhe të shohim të ardhmen. Po përse Presidenti i Greqisë nuk ia lë çështjen e varrezave të shkuarës, por ia faturoi të ardhmes?
Askush nuk u ndje, as ju, as kolegët që ju shoqëronin.
Të vdekurit janë njësoj kudo, trajtohen njësoj me të njëjtin respekt, ndaj do të ishte e udhës që të kishit kërkuar të paktën varret e shqiptarëve në Çamëri, por kjo befas i përket së shkuarës.
Ja ku po jua them sërish nga kjo foltore e lartë që nëse nuk lejohen ndërtimet e të rënëve të Çamërisë prej genocidit fashist grek të Napoleon Zervës në fund të Luftës së Dytë Botërore, asnjë arkëmort grek nuk do të ketë në Shqipëri.
Betohem solemnisht që Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe të gjithë shqiptarët, sido që të kenë bindjen, besimin dhe organizimin, nuk do i lejojnë.
Nuk ka gjuhë të mëndafshtë apo të helmët që të na bindë. Nuk ka aksion politik tokësor, detar, ajror që të na thyejë.
Aty do të jemi! Përballë do të na kenë!
Të nderuar kolegë,
Nuk dëshiroj të paragjykoj asnjë delegacion parlamentar apo qeveritar, kudo që të shkojë ai. Le ta ndërtojnë si të duan, por, mendësia e përjashtimit është e hidhur dhe buron nga mungesa e tolerancës dhe e shpirtit integrues.
Mirë ne, ligjvënësve të PDIU-së që nuk na përfshini në dërgatat tuaja, kur shkoni në Athinë, por të paktën deputetë me origjinë çame nga partitë e tjera, meqë ka dhe këtu nuk i merrnit dot, ashtu si morët kolegët tanë shumë të nderuar me origjinë greke apo vllehe?
Me siguri ky përjashtim ka ardhur, sepse ndjenja e intimidimit ka triumfuar dhe sërish keni marrë lapsin e llogarive dhe keni nisur aritmetikën e numrave.
Mirë, edhe këtë mund ta pranoj, por diçka po jua them; në marrëdhëniet me fqinjët, në gjeopolitikë, në politikat e integrimit aritmetika nuk hyn në punë, nëse tjetrin nuk e sheh ballëhapur. Fqinjët tanë e dinë që ju kompleksojnë, ju intimidojnë dhe ju lënë me majën e lapsit të bëni llogari.
Jo zotërinj, të biesh rob i kompleksit të inferioritetit është ta nisësh bisedën kokëulur, me shumë disavantazh.
Besoj, se kaq duhet të nisni ta kuptoni.
Të nderuar kolegë,
Çështja Çame është çështje aktuale e të drejtave të njeriut dhe nuk i përket së shkuarës.
Këtë gjë më mirë se ne e dinë fqinjët tanë, grekët.
Nëse do të e konsideronin problem të së shkuarës do kishin nisur të çelnin derën e mirëkuptimit dhe ndjesës. Tek e fundit, të parët e mi nuk i ka vrarë Tsipras, por Zerva, ndaj me logjikën e së kaluarës, kreu i qeverisë së sotme greke nuk ka përse mos ta heqë qafe këtë padrejtësi.
Por, jo padrejtësia, në këtë rast është ngritur në sistemin e sotëm të shtetit fqinj. Prandaj një ligj të së shkuarës, të shpallur nga Mbretëria e së kaluarës greke, sot është fuqiplotë në Greqi.
Ligji i luftës quhet.
Pse nuk e heqin? Nuk ndëshkon vetëm shqiptarët e krahinës së Çamërisë ky ligj, por të gjithë shqiptarët që kishin shtëpi e katandi në shtetin fqinj.
Do themi që çështja e pronave të gjirokastritëve në Greqi i përket së shkuarës, meqë është fuqiplotë Ligji i sotëm i Luftës?
Do themi që çështja e pronave e korçarëve në Greqi i përket së shkuarës, meqë është fuqiplotë Ligji i sotëm i Luftës?
Jo nuk e themi dot këtë, nuk kemi mundësinë të komandojmë kohën, por as pronën e tjetërkujt.
Atij korçarit, dardharit, gjirokastritit, Nelëve të Tironës apo çamit nuk mund t’u themi që nuk e merr dot pronën në Konicë, Janinë, Selanik, Sul, Volë apo Gumenicë se ka ende sot një Ligj Lufte, i cili ju shpall Italisë si pushtetuese e Shqipërisë. I është hequr Italisë pushtuese, por jo Shqipërisë së pushtuar.
E kuptoni tani se sa e vështirë është të thuash që Çështja Çame është çështje e së shkuarës?
Të nderuar ligjvënës,
Sot, po ju bëj me dije disa aksione të mirëfillta që kemi ndër mend të marrim dhe që janë gjithëpërfshirëse dhe nuk kufizohen vetëm në partinë që unë drejtoj.
Fillimisht, ju njoftoj që do i paraqesim Kuvendit të Shqipërisë në seancë plenare miratimin e një deklarate për mbështetjen plotë dhe detyruese të Rezoltuës Çame, Çështjes Çame dhe dialogut mes dy vendeve, ku përjashtohen të gjitha idetë irredentiste që përfshijnë Megalo Idenë, Vorio Epirin apo ndryshimet e kufinjve. Kërkojmë dialog europian, i cili përfundon me ndjesë dhe falje.
Ju njoftoj që do organizojmë të gjithë shqiptarët e Çamërisë të dorëzojnë të dhënat, dëshmitë, fotot, dokumentat, nëse kanë, për të zhdukurit e genocidit grek. Do marrim kampionët e ADN-së së të zhdukurëve, në mënyrë që duke përdorur mekanizmat e Kombeve të Bashkuara të gjejmë të rënët tanë dhe t’u japim një varr dinjitoz.
Me kaq besoj se e kuptoni që Çështja Çame është më shumë se kurrë e së sotmes, sepse janë ende gjallë gjyshërit, prindërit tanë, ne vetë, fëmijët tanë dhe këta nuk i ekzekuton dot kush si dikur të rënët e shtëpive tona.