Bashkia e Tiranës i është përgjigjur shqetësimit të banorëve të fshatit Selbë në Njësinë Administrative të Dajtit, duke nisur rikonstruksionin e plotë të çatisë në shkollën 9- vjeçare “Qemal Lika” të këtij fshati, çka do t’i japë fund problematikës me lagështirën që vinte nga tavani.
Punimet kanë përfshirë heqjen së pari të çatisë ekzistuese e cila ishte amortizuar totalisht dhe me rikonstruksionin e tarracës dhe do të vijojnë me vendosjen e një çatie krejt të re. Natyrisht që në shtator kur fëmijët të rikthehen në bankat e mësimit, shkolla do jetë gati me një çati të re, por edhe me kushte më të mira mësimore.
Ndërkohë që në shtator pritet të nisë mësimi edhe në shkollën e re “Kosova”, punimet e së cilës janë drejt fundit.