U nis të ndërhynte me shpejtësi për një rast zjarri të njoftuar në lagjen “Perash”, por automjeti i shërbimit zjarrfikës mbeti i bllokuar. Shkak u bënë automjetet e parkuara në kundërshtim me sinjalistikën rrugore në rrugën “Qazim Rroji”.
Megjithëse sirenat lajmëronin emergjencën, askush nuk mori mundimin të dilte për largimin e mjeteve të parkuara në pjesën anësore të kësaj rrugice.
Të gjendur në një situatë të tillë, efektivët e shërbimit zjarrfikës u detyruan të ndërhyjnë vetë me mjete rrethanore, ku ngrinin automjetet në ajër dhe i spostonin për t’i hapur rrugë zjarrfikëses.
Të tilla vonesa për shërbimin zjarrfikës apo auto-ambulancat janë fatale për jetën e qytetareve që përballen me emergjenca të ndryshme, por gjenden vetë të mbërthyera në rrugë pa dalje, nga mungesa e rregullit në rrugë, si dhe shkeljeve që kryhen nga të tillë drejtues mjetesh.