Thinjat dalin për shkak të humbjes së melaninës në flokë, humbje që shkaktohet nga një deficit në prodhimin e melanociteve. Shkencëtarët kanë zbuluar më në fund rrënjët e këtij problemi. Qimet e marrin ngjyrën prej pigmentit që quhet melanin, i cili prodhohet nga qelizat melankolite në folikulat e qimeve. Të dhënat sugjerojnë se dëmtimi i ADN-së dhe grumbullimi i peroksidit të hidrogjenit në folikulat e qimeve janë shkaqe të mundshme të dëmtimit të prodhimit të melaninës. Pa melaninën, qimja e re që rritet nuk përmban pigment, dhe ajo del e bardhë, gri ose në ngjyrë argjendi.
Studiuesit në University College të Londrës, kanë mbledhur mostra të flokëve nga mbi 6.000 vullnetarë të moshave 18 dhe 45 vjeç në Amerikën Latine. Ata po përpiqen të gjejnë se cili prej gjeneve është i lidhur me ngjyrën e flokut, dendësinë dhe formën e tij. Ata mësuan se gjeni i quajtur IRF4 ka lidhje të fortë me thinjat.
“Ky variant gjenetik i gjenit IRF4 ka dy forma; një formë është e pranishme në mbarë botën dhe forma tjetër është e pranishme vetëm tek evropianët. Dhe ne pamë se kjo formë e veçantë evropiane pothuajse i dyfishon shanset që floku të marrë ngjyrën gri,” thotë Kaustubh Adhikari, i University College London.
Faktorë të tjerë si mosha dhe mjedisi gjithashtu kontribuojnë në rënien graduale të pigmentit melanin në flokë, që shkakton thinjat. Por, shkencëtarët thonë se pasi ta zbulojnë plotësisht procesin se si IRF4 shkakton thinjat, ata do të mund ta ndalin këtë proces.
“Kjo do të varet shumë nga konteksti. Por, krijimi i një terapie për të vonuar ose parandaluar thinjat, është i mundur. Është një gjë që duhet studiuar më shumë,” thotë Andres Luis-Linares, po nga University College London.