Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi thotë se heqja e “non gratës” për kreun e PD-së, Sali Berisha do të ndodhë shumë shpejt.
Himçi u shpreh i bindur se së shpejti do të ketë zhvillime konkrete lidhur me këtë çështje, duke e cilësuar vendosjen e sanksioneve si një veprim të qëllimshëm për të goditur opozitën shqiptare.
“Sigurisht që ne jemi pranë heqjes së non gratës për liderin tonë të opozitës. Sigurisht, me heqjen e non gratës do të provohet edhe një herë fakti se si kanë operuar qeveria, në bashkëpunim me organizatat jofitimprurëse funksionale në Shqipëri, siç ishte ajo e Fondacionit Soros, për të vendosur non gratën në mënyrë të qëllimshme, për ta denigruar opozitën në mënyrën më të keqe të mundshme dhe për të goditur liderin e saj, Prof. Dr. Sali Berishën. Ne jemi në pritje. Sigurisht, ju garantoj se do të ketë një lajm shumë të mirë dhe shumë shpejt, Bes. Nuk është çështje e një fake news, por është një gjë e vërtetë që shumë shpejt do ta ndajmë këtë lajm të mirë së bashku.”, tha deputeti për Klan News.
I pyetur nëse ka një dokument për këtë çështje, deputeti tha se ende nuk mund të japë detaje pasi ka informacion të kufizuar.
“Jo, jo, ka goxha hapa të mëtejshëm në këtë lloj aspekti për mënyrën, për heqjen e non gratës për liderin tonë historik. Padiskutim do ta shikoni, nuk mund t’ju jap më shumë detaje, sepse edhe unë informacionin tim e kam të kufizuar.”, tha Blendi Himçi.
SHBA ka futur në listën e zezë Sali Berishën dhe famlijarët e tij në vitin 2021 dhe njoftimi është bërë atëherë nga ish Sekretari i Shtetit, Antony Blinken.
Në një mesazh në “Twitter”, Antony Blinken, shkruajti se Berisha dhe familja e tij janë shpallur zyrtarisht të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA dhe prandaj edhe ju ndalohet hyrja në vend.
“Veprat e korrupsionit të ish-Presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha, minojnë demokracinë në Shqipëri. Unë e shpall publikisht Sali Berishën dhe anëtarët e familjes së tij si të papërshtatshëm për të hyrjë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne vazhdojmë të jemi kundër korrupsionit së bashku me partnerët tanë në Shqipëri”, tha Blinken.










