“Shqipëria solidare me vendet e rajonit të prekura nga kriza e refugjatëve”
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, mori pjesë në Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit, organizuar në Sarajevë, ku krahas presidentëve të Kroacisë, Sllovenisë, bashkëkryetarët e presidencës së Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, Serbisë dhe Kosovës, i ftuar i nderit ishte Presidenti i Italisë, Sergio Mattarella. Duke u ndalur në agjendën europiane, Presidenti Nishani theksoi se Shqipëria e ka bërë të qartë tashmë se objektivi më strategjik për Shqipërinë është integrimi në Bashkimin Europian. Kreu i shtetit u ndal edhe në sfidat dhe kërcënimet me të cilat po përballen vendet e rajonit dhe i gjithë kontinenti europian, të tilla si terrorizmi e ekstremizmi i dhunshëm, si dhe kriza e refugjatëve, duke shprehur gatishmërinë e përsëritur të Shqipërisë për të qenë pjesë e zgjidhjes konform mundësive dhe kapaciteteve të saj. “Shqipëria është solidare me vendet e rajonit të prekura nga kriza e refugjatëve dhe ka ofruar mbështetjen e saj proporcionalisht me mundësitë dhe kapacitetet e saj, si ndaj vendeve fqinje ashtu edhe ndaj Bashkimit Europian”, u shpreh Presidenti Nishani.