Ekspertët: Trendi në rritje i aksidenteve është i frikshëm
Ndërkohë që ende nuk është mbyllur 5-mujori i parë i 2016-s, më shumë se 90 persona kanë humbur jetën në aksidentet rrugore në mbarë vendin. Sipas ekspertëve, trendi në rritje është i frikshëm, duke pasur parasysh se ende nuk ka nisur sezoni turistik, që përkon me fluksin e kthimit të emigrantëve. Në të gjithë akset në Shqipëri, autoritetet kanë konstatuar 144 “njolla të zeza”, ku – sipas specialistëve – policia duhet të riorganizojë shërbimet për të parandaluar aksidentet fatale.
Aksidentet e rënda të javëve të fundit kanë shkaktuar një luftë në distancë mes Ministrisë së Transporteve dhe Policisë Rrugore sa i takon përgjegjësive. Megjithatë, për ekspertët është e nevojshme që për situatën e krijuar të mblidhet edhe komiteti ndërministror për sigurinë rrugore.