Si pasojë e një shpërthimi me eksploziv të ndërmarrë në qytetin Kalis të Irakut, të paktën 17 persona kanë humbur jetën ndërkohë që dhjetëra të tejrë janë plagosur.
Sulmi u ekzekutua afro 80 kilometër larg kryeqytetit Baghdad, ndërkohë që ende nuk dihen detaje mbi autorësinë e këtij agresioni të rradhës.
Sipas të dhënave paraprake, raportohet se sasia e lëndës shpërthyese ishte montuar në një makinë dhe se u aktivizua përmes një detonatori. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë forcat e sigurisë si dhe autoambulancat që kanë shoqëruar të plagosurit në ambientet spitalore. Mjekët thonë se presin një rritje të bilancit të viktimave, pasi shumë prej të plagosurve janë në gjëndje tepër të rëndë.
Ende nuk dihet se kush mund të qëndrojë pas këtij sulmi tragjik, por pista më e mundshme është ajo e Shtetit Islamik.
Ekstremistët e kësaj organizate terroriste goditën edhe një ditë më parë kryeqytetin Baghdad duke vrarë 20 persona. Iraku ka rënë shpesh herë pre e sulmeve të tilla me eksplozivë.
Pavarësisht progresit të shënuar nga qeveria në luftën kundër terrorizmit, Shteti Islamik vijon të ketë nën kontrroll një pjesë të konsiderueshme territoriale. Përgjatë muajve të fundit, forcat vendase kanë arritur që të rifitojnë disa qytete të rëndësishme, gjë që mund të jetë edhe arsyeja e sulmeve.