Para 25 vjetësh, William Ryerson shkoi në Shqipëri si shef i zyrës së Shteteve të Bashkuara pas rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Uashingtonit dhe Tiranës, për një qëndrim prej 30 ose 60 ditësh. Në fakt ai u bë Ambasadori i parë pas përmbysjes së komunizmit. Këtë javë u bë një çerek shekulli që kur ai mbërriti në Tiranë dhe në një intervistë për Zërin e Amerikës, kujton ditët e para atjje, sjell mbresat e tij dhe reflekton për ato që janë përmbushur apo jo nga shpresat e tij për Shqipërinë.
Zëri i Amerikës: Ambasador Ryerson, këtë javë u bënë 25 vjet që kur ju mbërritët në Shqipëri, në fillim përkohësisht si shefi i zyrës amerikane në Shqipëri dhe më pas si ambasador. A mund të na i përshkruani përshtypjet dhe ndjesitë tuaja nga ato ditë të para?
Ambasador William Ryerson: Të them të vërtetën u trondita nga gjendja fizike e vendit. Dhe mendova se kushdo që mund të vinte të shiste bojë, do të bënte para. Çdo gjë dukej në një gjendje të mjerueshme. Dhe njerëzit dukeshin në mos të uritur, të hequr në fytyrë, të dobët, dukeshin si në siklet. Dhe disa gjëra ishin me të vërtetë tronditëse. Ishte një mëngjesore, në qoshe të sheshit kryesor dhe unë kalova aty afër duke menduar se ndoshta mund të haja mëngjes ndonjëherë atje, por pastaj pasi ndjeva erën që vinte që aty, thashë “Jo, nuk besoj se dua të ha këtu”. Këto lloj gjërash të bënin shumë përshtypje. Sigurisht për mua ishte jashtëzakonisht interesante. Unë kisha filluar të mësoja pak shqip në Beograd vetë. Që atë ditë ose të nesërmen, i bëra një telefonatë shefit të Zyrës së Protokollit dhe hyra në debat me të. I thashë: “Dëgjova që është propozuar një Kushtetutë e re – e cila ishte hedhur poshtë nga Kuvendi Popullor”. Dhe ai me tha: “Po, por të huajt nuk lejohen në seancën hapëse të Kuvendit.” Unë i thashë se e kundërshtoja një gjë të tillë dhe se në Kongresin amerikan mund të shkonte të dëgjonte gjithkush. I thashë “Qeveria ime proteston!” Ndoshta kjo i tërhoqi vëmendjen dhe të të nesërmen në mëngjes më tha që mund të shkoja dhe mund të sillja me vete përkthyesen time dhe kjo ishte një plus. Dhe në parlament, të gjithë diplomatët e tjerë erdhën të më falenderonin, sepse tani që po më lejonin mua, do të lejonin të gjithë të tjerët.
Zëri i Amerikës: Pra kjo ishte fitorja juaj e parë…
Ambasador William Ryerson: Në fakt nuk ishte fitore për mua, ishte fitora për një shkallë hapjeje dhe një kontribut që kjo të ndodhte pati Gramoz Pashko, të cilin unë e takova pasi pata debatin dhe i thashe se nuk e dija nëse do të më lejonin, para se të merrja vesh të nesërmen. Dhe ai më tha “do të na duhet të merremi me këtë” dhe mendoj se kombinimi i përpjekjeve të të dyve, e arriti qëllimin.
Zëri i Amerikës: Ato ditë të para, a e mbani mend se cilat ishin çështjet më urgjente me të cilat u morët? Çfarë ishin gjërat e zakonshme të rutinës dhe çfarë ishte e pazakontë?
Ambasador William Ryerson: E kisha shumë të vështirë të më zinte gjumi dhe më pas e kuptova që ishte adrenalina. Çdo gjë ishte shumë interesante për mua. Kishe gjithashtu edhe shumë bubullima gjatë natës. Nuk e dija më parë për shembull zakonin e xhiros në bulevard. Dhe pastaj papritur vinte një moment kur gjithçka binte në qetësi dhe mora vesh që arsyeja ishte se njerëzit shkonin në shtëpi të dëgjonin Zërin e Amerikës. Dhe 45 minuta më vonë, kur emisioni mbaronte njerëzit dilnin në rrugë përsëri. Diçka tjetër ishte që vrisja mendjen a po ndiqesha dhe përgjohesha apo jo dhe mendoj se ndodhte mjaft shpesh sepse nga dita raporte botuar para disa vitesh, tregonin se ku shkoja, sa gjatë fola për shembull me Napolon Roshin në qoshe të rrugës. Por gjithmonë ndjehesha i sigurt.
Zëri i Amerikës: Po gjërat më të mëdha, cilat ishin sfidat kryesore? Si i përjetuat ndryshimet e mëdha që po ndodhnin?
Ambasador William Ryerson: Sfidat e mëdha ishin, të kuptoja se ç’po ndodhte, përpjekjet për gjetur faktet e vërteta dhe drejtësinë për vrasjet e 2 prillit në Shkodër dhe kur pyesja për këtë më shmangeshin. Njohja me njerëzit. Kishte dhjetra vetë që nuk i kisha parë ndonjëherë dhe që më duhej t’i njihja që të merrja vesh se cilët ishin njerëzit e mirë dhe cilët torturuesit edhe kjo ishte një dilemë e vazhdueshme. Emrat nuk i njihja të gjithë por fyturat në përgjigjesi i mbaja mend. Kështuqë kur shihja dikë që e kisha takuar me një person tjetër që e dija që ishte njeri mirë, një nga demokratët atëherë e dija që ishte në rregull. Pra çdo gjë po ndërtohej aty në moment, nuk kishte pikë reference, asnjë dokument, pra çdo gjë duhet ta bëja nga e para. Diçka tjetër ishte se gjërat nuk fillonin në kohë. Mbaj mend një ditë isha në llozhën e parlamentit, Kastriot Islami po drejtonte seancën dhe unë i tregova orën me gisht, dhe ai bëri një gjest duke mbledhur shpatullat si të thoshte, s’kam ç’bëj.
Por gjërat më të rëndësishme ishin zhvillimet e mëdha: qeveria Nano ra, kishte një qeveri teknike, vizita e Sekretarit Baker, që ishte diçka e jashtëzakonshme.
Kisha parë diçka të tillë vetëm një herë më parë: Në turin tim të parë si pjesëtar i shërbimit të huaj, në Gjermani, kur erdhi për vizitë presidenti Kennedy dhe mendova: nuk kam për të parë kurrë më diçka të tilla. E kisha gabim, sepse vizita e Sekretarit Baker në Shqipëri u shoqërua me të njëjtin entuziazëm. Dhe unë e kuptova që kjo solli një ndryshim të jashtëzakonshëm për njerëzit në vend. Njerëzit nuk ishin më aq të frikësuar që të ngrinin zërin.
Por në përgjithësi dua të them se mua më duhej të veproja me intuitë dhe të bëja ç’duhej bërë se nuk mund të prisja sa të lidhesha me Departamentin e Shtetit për udhëzime.
Zëri i Amerikës: Ju mbajtët një qëndrim të caktuar në atë kohë. Çfarë mendoni sot për qëndrimet tuaja të atëherëshme dhe çfarë mendoni për figurat politike që takuat atëherë para 25 vjetësh kur ata ishin ende të rinj.
Ambasador William Ryerson: Ndoshta pozicionet e mia mund të mos kishin qenë aq të forta. Kur Sekretari Baker ishte në Tiranë, ne organizuam për të një takim me 10 disidentë në një sallë tek Hotel Dajti ku ishte një vapë e jashtëzakonshme. Dhe jam i sigurt që ishin vendosur dhjetra mikrofonë për të përgjuar, dhoma ime patjetër që përgjohej, për këtë isha i sigurt. Dhe Sekretari Baker tha: “Ju duhet të bashkoheni dhe të votoni për t’i hequr komunistët nga pushteti”. Dhe unë mendova: “Ky është urdhri për atë që duhet të bëj unë. Qeveria teknike do të jetë këtu për një farë kohe por është i domosdoshëm një fillim i ri”. Dhe për këtë arsye unë vendosa që të flas dhe siç i shkruajta më pas Sekretarit Baker, pasi u largova nga Shqipëria, unë mendova: “Ambasadorët shkojnë e vijnë. Nëse komunistët fitonin në 1992-in, ka shumë mundësi që ata do të thonin që Ryersoni duhet të largohet. Dhe do të kishte qenë në rregull. Ambasadorët janë të zëvendësushëm. Por përsa kohë të jem këtu, ta ngre zërin”.
Po, unë po ndërhyrja në çështjet e brendshme të Shqipërisë. Por kushdo që po promovonte demokracinë dhe tregun e lirë, automatikisht po ndërhynte në punët e brendshme të Shqipërisë. Ishte qëndrimi i duhur.
Zëri i Amerikës: Dhe a u realizuan shpresat që kishit ju atëherë duke pasur parasysh se sa investuar ju si diplomat dhe personalisht, nëse bëni një analizë tani pas 25 vjetësh?
Ambasador William Ryerson: Pjesërisht, në një pjesë të konsiderueshme. Besoj se nuk e mora në konsideratë sa ç’duhej – siç i thoshim njëri-tjerit herë pas here unë dhe Chris (Hill) – ndikimi i Perandorisë Osmane ishte ende gjallë në Ballkan. Ajo kulturë e rrënjosur fort e rryshfeteve, ishte ende atje dhe unë nuk e kisha të qartë se sa e rrënjosur ishte dhe druhen se vazhdon të jetë edhe sot. E di që ambasadori (Donald) Lu e ka kritikuar shumë hapur korrupsionin dhe kur ishte këtu gjatë vizitës së kryeministrit (Rama) e takova dhe i thashë: “Don, shiko, ora ime është plastike” dhe ai qeshi. Sigurisht ky është vetëm një element. Korrupsioni e ka dëmtuar keq rritjen dhe ekonominë e vendit.
Por, po të kthehesha mbrapsht në kohë, a do të mbaja një qëndrim po aq të fortë ndaj partisë në pushtet?
Unë do të bëja përsëri të njëjtën gjë, padyshim.
Zëri i Amerikës: Domethënë në Shqipëri ishte kombinimi më i keq i mundshëm: pasojat e Perandorisë Osmane dhe llojit më të keq të diktaturës…Dhe sot po shihen pasojat e këtij kombinimi…
Ambasador William Ryerson: Po, pak a shumë kështu e shoh. E kaluara vazhdon të ndikojë. Në takimn e parë që pata me Ramiz Alinë, i thashë “Zoti President, Shqipëria duhet të përballet me të kaluarën siç bëri Gjermania”. Dhe përgjigjia ishte që Shqipëria ishte krejt ndryshe. Unë mendova me vete “Po e gënjen veten dhe ndoshta i beson fjalët e tua, por duhet gjetur një mënyrë për t’u përballur me të kaluarën”.
Zëri i Amerikës: Një nga çështjet më shqetësuese në Shqipëri është përveç korrupsionit, kriminalizimi në politikë. Si e shihni këtë fenomen?
Ambasador William Ryerson: Është për fat të keq shumë e vërtetë. Lexoj për shembull – nuk kam qenë atje, nuk e kam parë – se si një zyrtar shumë i lartë është i regjistruar në video duke marrë bakshish dhe ai vazhdon të jetë në pushtet. Një gjë e tillë duhet ta ishte arsye për ta larguar por nuk ka ndodhur dhe kjo është e tmerrshme.
Zëri i Amerikës: Klima politike në vend, vazhdon të jetë e tensionuar. Nuk duhet të ketë më shumë pjekuri? ….
Ambasador William Ryerson: A e keni fjalën për Shtetet e Bashkuara?
Zëri i Amerikës: Jo, për Shqipërinë…
Ambasador William Ryerson: Mendoj që edhe në Amerikë është mjaft e polarizuar…
Zëri i Amerikës: E vërtetë, por Shtetet e Bashkuara mund ta përballojnë një gjë të tillë sepse kanë institucione të konsoliduara, ndërsa në Shqipëri është më e vështirë …
Ambasador William Ryerson: Po, Shqipëria nuk mund të përballojë aq shumë gabime sa ç’mund të përballojnë Shtetet e Bashkuara përsa i takon klimës përçarëse, me kaq shumë acarime dhe bojkotime. Shpresoj që miqtë e mi shqiptarë – dhe kam miq nga të dyja palët – të mos vazhdojnë më me këtë frymë, nuk është gjë e zgjuar dhe nuk është produktive.
Zëri i Amerikës: Dhe në fund, cili është mesazhi juaj për shqiptarët, 25 vjet pasi arritët atje?
Ambasador William Ryerson: Faleminderit shumë! Ishte një privilegj!
VOA