Diskutimi më i shpeshtë publik në shoqërinë shqiptare përqendrohet në temën e tranzicionit politik. Disa opinione argumentojnë se tranzicioni ka përfunduar si proces dhe madje me një sukses të pakrahasueshëm. Disa mendime të tjera mbështesin opinionin se procesi i tranzicionit nuk është finalizuar, por përkundrazi është ende në zhvillim. Mirëpo, ku është roli i rinisë në gjithë këtë mes?
Kur bëhet fjalë për tranzicion, nuk duhet të mendojmë se tranzicioni është vetëm një proces politik, por kryesisht është një proces i bazuar në zhvillimin dhe emancipimin shoqëror. Sipas Alexander Wendt, normat dhe vlerat shoqërore janë ato të cilat formojnë sipas imazhit të tyre klasën politike. Kjo teori është e provuar në një vend si Shqipëria.
A e keni vërejtur ndonjëherë faktin që politikanët shqiptarë komunikojnë dhe sillen në një mënyrë krejt të papërshtatshme dhe vulgare gjatë diskutimeve në parlamentin kombëtar, ndërsa kur takohen me homologët e tyre ndërkombëtarë, paraqesin një ‘version të zbukuruar’ të tyre? Dhe nga befasia që ndjeni në atë moment, ndodh të pyesni veten … “Si është e mundur? Jam duke ëndërruar apo jam në një univers paralel, sepse ky nuk është politikani shqiptar me të cilin jam mësuar. Ai që vetëm fyen personalisht kundërshtarët e tij/saj politikë dhe përdor batuta denigruese në vend të argumenteve konkrete. Kush është ky person që kur takohet me një kryeministër europian, sillet sikur të jetë rritur në oborrin mbretëror të Luis XV, duke imituar imazhin e një politikani të moralshëm, të kulturuar dhe të sofistikuar?”.
A mund të ndodhë që këta njerëz, përfaqësuesit tanë politikë, të vuajnë nga syndroma e bipolaritetit dhe andaj ky ndryshim 180 gradë i mënyrës së komunikimt? Apo është një ndryshim i qëllimshëm, një adoptim teatral i provuar mirë në rrethana të ndryshme, në normat përkatëse shoqërore të kulturave shqiptare dhe europiane brenda të cilave lundron anija gjysmë e fundosur e këtyre politikanëve tanë?
Fare thjesht, kjo dukuri mund të përshkruhet nga thënia e popullit “…si është vendi bëhet kuvendi”. Atëherë kjo do të thotë se Shqipëria është një vend që meriton vetëm këtë lloj përfaqësimi politik? Kjo është një fyerje indirekte e kamufluar qëllimisht, një fyerje e përditshme për njerëzit tanë… për kombin tonë.
Ky është vendi ynë dhe ky nuk është trajtimi që meritojmë. Politikanët duhen akuzuar për atë që bëjnë, për kriminalitetin e pandëshkuar dhe korrupsionin i cili shkatërron shtetin nga brenda ashtu si një virus brenda një organizmi. Por duhet t’i hedhim sytë edhe nga vetja si shoqëri.
Duke parë vetëm nga politikanët, në mënyrë të pavetëdijshme i dorëzohemi atyre, duke u dhënë një fuqi të madhe. Fuqinë e përgjegjësisë, veprimit dhe shpengimit. Dikush mund të pyeste… “A ka një qytetar shqiptar që beson vërtet se këta politikanë do të pranojnë përgjegjësitë e tyre, do të pendohen dhe të zgjidhin problemet tona?”.
Do të ishte sikur natën e kaluar një bandë hajdutësh të kishte hyrë në shtëpinë tuaj dhe kishin vjedhur disa gjëra të vlefshme, dhe pasi erdhët në shtëpi dhe e kuptuat që keni renë viktimë e një vjedhjeje, do t’i thonit vetes “…nuk kam pse të shkoj të policia, sepse hajdutët do të kenë një ndryshim të papritur të natyrës së tyre spirituale dhe do të kthejnë vullnetarisht gjërat që kanë vjedhur”.
Sigurisht që të gjithë ne nuk presim që këta politikanë të përmirësojnë jetën tonë dhe të mbrojnë interesat tona. Sidoqoftë, mund të ketë disa që pajtohen gjithashtu me këtë mendim, por nuk janë në gjendje ta shprehin lirshëm këtë mendim pasi kjo lloj shprehje mund të jetë në konflikt të drejtpërdrejtë me interesat e tyre personale.
Në këtë pikë, ne mund të shohim se padyshim jetojmë në një vend de jure demokratik, ku liria e fjalës garantohet nga kushtetuta, por siç rezulton, kjo e drejtë nuk mbrohet dhe nuk përdoret nga zemra dhe mendja e të gjithë neve. Kushtetuta patjetër që njeh të drejtat themelore civile, por në fund të fundit na takon ne t’i përdorim në luftën për mbrojtjen e mirëqenies sonë dhe të komunitetit.
Kur flasim për përmirësimin e shtetit dhe të shoqërisë duhet të pranojmë faktin që nuk do të ketë asnjë përmirësim për komunitetin tonë, për shoqërinë tonë, për kombin tonë nëse secili prej nesh nuk bën disa sakrifica.
Nëse duam ta fitojmë këtë luftë, para se ajo të fillojë, do të duhet të përgatitemi për faktin se mund të humbasim një betejë në mënyrë që të fitojmë luftën. Këto sakrifica të kërkuara nga ne, ajo betejë e humbur nuk duhet të shihet negativisht. Përkundrazi, ato duhet të perceptohen si investime për hir të së ardhmes se shoqërisë dhe kombit tonë.
Ka shumë probleme me të cilat shteti dhe shoqëria shqiptare është përballur gjatë tridhjetë viteve të fundit, probleme që janë si një litar i shtrënguar rreth duarve të një personi që po përpiqet të mbajë veten mbi ujë, dhe ngadalë ngadalë të arrijë bregdetin. Disa nga këto çështje, gati vdekjeprurëse për shtetin shqiptar janë disa. Por më e para është mungesa absolute e parimit të meritokracisë.
Një mungesë meritokracie jo vetëm në rastin e mundësive profesionale të ofruara në tregun e punës. Kjo nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me konceptin e equal outcome dhe trajtimin të barabartë nga shteti. Jo, problemi këtu qëndron në konceptin e mungesës së mundësive të barabarta (equal opportunities). Fatkeqësisht, kështjella e shtetit të korruptuar shqiptar është ndërtuar me aq kujdes dhe e fortifikuar me kaq përpikëri gjatë gjithë këtyre viteve, saqë edhe para lindjes së një personi fati i tij / saj është vulosur.
Për shkak të zhvillimit ekonomik asimetrik në Shqipëri, një fëmijë që lind në një familje të varfër, nuk do të ketë të njëjtat mundësi në jetën e tij apo të saj për të pasur sukses, në krahasim me një fëmijë që lind në një familje e cila është në nivel të neveritshëm, e ‘mirë-lidhur’ me klasën politike. Një fëmijë i një fermeri nuk do të ketë të njëjtat mundësi me ato të një fëmije të një biznesmeni ose politikani. Jo për fajin e tyre, por për shkak të mungesës së vëmendjes shtetërore. Përsëri, duhet theksuar se ky argument nuk nënkupton që të gjithë qytetarët të kenë detyrimisht të njëjtën shkallë suksesi, ose të njëjtën mirënjohje dhe respekt nga shoqëria, sepse kjo kërkesë do të ishte krejtësisht e padrejtë.
Meritokracia nuk ka të bëjë me një rezultat të barabartë. Përkundrazi, meritokracia bazohet në parimin që të gjithë njerëzit të kenë të njëjtat mundësi për të pasur sukses dhe të realizojnë ëndrrat e tyre. Meritokracia është parakushti themelor për një shoqëri të shëndetshme i cili hap rrugën drejt ndjekjes së lumturisë. Mos harroni që kjo e drejtë ishte një nga idetë kryesore të Lëvizjes së Iluminimit dhe rrjedhimisht Revolucionit Francez.
Vetëm në një mjedis shoqëror të shëndetshëm, mekanizmi i lëvizshmërisë sociale mund të funksionojë. Por ne e dimë shumë mirë që ky lloj mjedisi nuk ekziston në Shqipëri dhe mënyra e vetme që qytetarët e varfër shqiptarë të jenë pjesë të këtij mekanizmi social po bëhet ose përmes emigracionit ose përmes aktiviteteve kriminale. Por këto nuk janë zgjidhje, prandaj nevojitet një alternativë.
Ka shumë probleme të tjera që shteti shqiptar jo vetëm që i ka lënë të pazgjidhura për shumë vite, por përkundrazi, ka qenë sponsori kryesor i mbijetesës dhe vazhdimit të ndikimit negativ të tyre në jetën tonë të përditshme. Probleme të tilla si, inekzistenca alarmante të profesionalizmit dhe aftësive të përshtatshme për të mundësuar përmirësimin e standardeve të administratës publike ose fenomeni i korrupsionit, nepotizmit dhe klientelizmit të cilët tashmë janë bere pjesë integrale e aparatit shtetëror.
Pyetja më e rëndësishme është “Si mund të realizohet dhe të përfundojë ky tranzicion kur udhëhiqet nga një klasë politike që është formuar nën mentalitetin dhe doktrinën e sistemit të vjetër paranojak?” Eshtë e pamundur dhe irracionale që të kemi pretendimin dhe pritshmërinë që kjo bandë politikanësh do të ndërmarrë reformat e nevojshme në lidhje me këtë proces tranzicioni.
Sepse është sikur t’u kërkojmë këtyre përfaqësuesve tanë të lavdishëm të luftojnë kundër vetvetes. Atëherë, kur kjo klasë politike e nouveau-riche nuk është ajo që mundet ose vërtet dëshiron ta udhëheqë këtë proces tranzicioni dhe zhvillimi, cila është pjesa e shoqërisë që është e gatshme të pranojë këtë përgjegjësi? Pa dyshim, përgjigjja është…Rinia.
Rinia shqiptare, e cila me një mentalitet të ri, me vlera bashkëkohore dhe mbi të gjitha me një dashuri të pashtershme dhe të pakrahasueshme për atdheun, do të jetë në vijën e parë të ushtrisë së aktivizmit që do të luftojë për përmirësimin të këtij kombi dhe arritjen e potencialit të tij real.
Por, çdo ushtri përbëhet nga grupe të ndryshme. Ashtu si në luftërat e vjetra ku gjatë një beteje trupat këmbësore të ushtrisë ishin në vijën e parë dhe në një moment gjatë ballafaqimit ata kishin nevojë për mbështetje sepse vetem nuk ia dilnin dot, në atë moment jetik mbërrinin kalorësit dhe të gjithë së bashku arrinin fitoren. Në të njëjtën mënyrë, rinia shqiptare do të jetë në vijën e parë të luftës, por të rinjtë vetë nuk mund të sigurojnë fitoren.
Nuk do të ketë asnjë fitore pa mbështetjen dhe përfshirjen e pjesës tjetër të shoqërisë. Eshtë e domosdoshme që të gjithë të kuptojmë se kjo luftë është një luftë e përbashkët. Ose do të sakrifikojmë, do të luftojmë dhe do të arrijmë fitoren të gjithë bashkë, ose përndryshe do të qëndrojmë në një errësirë të trishtë dhe të përjetshme.
Gjatë viteve të fundit, çështja e të rinjve që largohen nga Shqipëria është diskutuar me frekuencë eksponenciale. Disa mund të argumentojnë se këta të rinj largohen me deshirën e tyre dhe zgjedhin të braktisin Shqipërinë. Por a është vërtet kështu? A është vërtet një braktisje apo është një largim i detyruar, një lojë ekstradimi të të rinjve, një proces i mirëorganizuar nga shteti?! Ekstradim për të rinjtë që janë me kualifikime akademike dhe me një potencial të çmuar për të kontribuar në vendin e tyre, dhe në të njëjtën kohë mbështetje të pakufizuar ndaj kriminelëve, veprimtaria e të cilëve krenonshqiptarët në mbarë botën çdo ditë.
Si popull, si shoqëri, si shtet, mund të jesh i varfër ekonomikisht, por kjo varfëri nuk të pengon të ecësh me shtatin drejt dhe kokën lart. Ajo që nuk të bën krenarë, si individ ashtu edhe si shoqëri, është kur vendi yt po tërhiqet me forcë drejt humnerës dhe ti qëndron pasiv dhe i heshtur.
Njerëzit do të supozonin se këta të rinj shqiptarë do të dorëzoheshin për shkak të këtij zhgënjimi. Por, populli ynë nuk duhet të harrojë se këta të rinj janë shqiptarë dhe si të tillë, karakteristikat si dorëzimi dhe frika nuk ekzistojnë për ta.
Kjo nuk do të jetë një betejë që do të luftohet me armë në krah, por në këtë rast lufta do të zhvillohet me lapsin në dorë, me ide, me parime, me aktivizëm, me bindje dhe guxim për të mbrojtur ëndrrat tona për zhvillimin e jetës sonë, këtu në Shqipëri dhe askund tjetër.