Nga Ben Andoni
Duhet të jetë çështje orësh para se grupet e refugjatëve të futen në Shqipëri. Mbase vendin tonë nuk do e kenë destinacion fundor, por vend kalimi patjetër që po, anipse shqetësimi mbetet gjetiu: cili është plani shtetëror për pritjen e tyre?! Deri më tani, media është munduar të kalojë dhe të kuptojë përmes rreshtave të deklaratave plot ekuivoke të zyrtarëve shqiptarë, ndërsa një plan i detajuar mungon krejt ose nuk është i bërë prezent, ndoshta edhe prej papërgatitjes së duhur. Zv/Ministria e Brendshme Gjebrea mbrojti fort tezën në një emision, ku deputetë dhe zyrtarë ziheshin pafund, se plani është, por nuk mund të bëhet i ditur!!! Përballë saj, pjesëtarë të opozitës i deklaronin se plani nuk ekzistonte dhe nëse do të ishte duhej të ishin informuar prej kohësh. U fol për përkthyes të gjuhës arabe që ishin gati, por nuk flitej për kapacitetet dhe infrastrukturën dhe mbi të gjitha për predispozitën e vërtetë të shtetit. Përveç faktit që Ministri Tahiri do priste në orët e tjera kolegun italian, me të cilin do flisnin për hapat e mëtejshëm të mbrojtjes së kufijve dhe çështje të tjera, lidhur me ta.
Në muajt e fundit ka pasur disa deklarata kontradiktore të ministrave me kryeministrin e vendit, Rama, që tregon hapur se vendit i mungon një strategji. Ose më thjesht përballja me probleme reale. Kjo s’do shumë të kuptohet, sepse nuk ia kemi dalë për probleme më të vogla dhe jo për këtë shqetësim mbarëkontinental. Vetëm se dyshimi bëhet më i thellë kur mendon se nëse do të kishte një plan të kalkuluar lidhur me refugjatët, atëherë në funksion do të ishte edhe Këshilli i Sigurisë Kombëtare, që edhe pse u përmend në emisionin kakofonik të pak orëve më parë, të bënte të dyshoje realisht se ishte mbledhur ndonjëherë ose kishte shprehur interesim për çështjen.
“Shqipëria ka kazerma ushtarake në kufirin jugor, të cilat cilësohen nga autoritetet si të gatshme për t’u përdorur në akomodimin e refugjatëve, por nuk është ashtu. Ato janë të pasigurta dhe të pamjaftueshme. Imagjino, në Greqi janë mijëra persona që shumë shpejt mund të vijnë në Shqipëri, pas disa qindrave kapaciteti do të tejmbushet. Më pas çdo të ndodhë? Qeveria shqiptare është treguar ekstremisht e fshehtë duke mos bërë publik asnjë plan, pasi ata thonë se “nëse flasin rreth kësaj çështje në media, refugjatët do të fillojnë të vijnë. Por ne i tregojmë atyre, refugjatët do të vijnë edhe nëse ju po e planifikoni apo jo”, u shpreh pak ditë më parë Marie-Helene Verney, përfaqësuese e UNHCR-së për Al Xhazirën.
Por shqetësimi nuk mbetet thjesht te kalkulimi i mundësive, gjetja e kushteve të strehimit, por tek riaktivizimi i grupeve kriminale ballkanike mikse, që do të shfrytëzojnë rastin për kalimin e refugjatëve sirianë dhe irakenë, shumica gra dhe fëmijë nga Greqia në Shqipëri, tashmë që kufiri evropiano-qendror është bllokuar krejtësisht. Kjo i ka bërë organizatat e të Drejtave të Njeriut të jenë të kujdesshme, por nga ana tjetër edhe shumë të vëmendshme për situatat që po kalon vendi, që duhet thënë se mbetet një shtet pa plane dhe në dorë të rastësisë. Kjo nuk i shfajëson zyrtarët e sotëm që thonë se nuk do pranojnë; se kanë ngritur antenat e kërkojnë ndihmë; dhe se pala italiane do të monitorojë bashkë me shqiptarët kufijtë. Ata po vinë, pra, cili është plani!
/javanews.al/