Reforma në drejtësi vazhdon të jetë peng i debateve mes palëve pavarësisht këmbënguljes së fortë të ambasadorëve ndërkombëtarë. Ndërsa Partia Demokratike nuk e ka marrë ende vendimin e saj, Kryeministri Edi Rama ka akuzuar sot nga foltorja e Kuvendit opozitën se është ajo që po vonon reformën në drejtësi. Ai i ftoi të hënën për të votuar, por ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha ka përdor gjuhë fyese ndaj tij duke e quajtur “byk”
“Reforma në drejtësi është projekt tërësisht i përbashkët i Shqipërisë, SHBA-së e BE-së dhe në këtë pikë Shqipëria nuk bën përjashtim nga asnjë prej vendeve që i janë bashkuar familjeve të BE-së. Sa i takon reformimit të sistemit të drejtësisë projekti ka qenë i përbashkët. Ardhja e ambasadorëve për të takuar grupet parlamentare nuk e di nëse ka ndodh, ndodh në grupin tuaj pasi në grupin e PS- dhe LSI nuk vijnë as për të sheshuar gjë sepse PS dhe LSI janë shprehur shumë qartë dhe kanë qenë të gatshmë të votojnë paketën e ndryshimeve kushtetuese që dje, ju nuk keni qenë të gatshëm”, tha Rama.
Me tej ai tha se “ju nuk jeni të gatshëm të votoni, ne dje kemi qenë të gatshëm të votojmë. Ju thoni jemi gati por ta shikojmë, çfarë të shikoni? Ju e thatë vetë shikoni një ëndërr që shqiptarët të marrin armët e t’ju mbrojnë ju nga refiorma në drejtësi. Në fjalë jeni të gjithë robotë rapsodikë të një partie që ka ikur për atje ku nuk thuhet. Po patët mundësi të hënën hajde të votojmë reformën në drejtësi që të paktën në këtë pikë të mos ju dalë fare boja, sepse është më e rëndësishme për ecurinë e përbashkët të vendit tonë dhe integrimin në BE”, tha Rama ndër të tjera.
Por Berisha replikoi duke thënë : “Këshilla ime mos lexo asgjë që nuk kupton para të tjerëve sepse del byk. Dhe këtë nuk mund ta pranojë është Edi Rama sepse ai nuk di të flasë për gjë tjetër veç për zhgarravinat që nuk ia hedh kush sytë. Natyrisht kur je tabula rasa në këto koncepte je ashtu siç fole analfabet”.