Adrian Çela, administrator i OSHEE-së, ka reaguar sot në lidhje me akuzat e deputetit Vladimir Kosta, i cili përmes një letre të hapur dërguar kryeministrit Rama, njoftonte largimin nga grupi parlamentar i PS-së.
Çela e akuzon deputetin Kosta për kërkesa absurde për të fituar në rrugë të paligjshme tenderë të shpallur nga OSHEE.
“Shpreh keqardhje të thellë për prononcimin e deputetit Vladimir Kosta, por nuk jam i keqardhur që nuk i’a kam plotësuar kërkesat e tij absurde për të fituar në rrugë të paligjshme tenderë të shpallur nga OSHEE. Fatkeqësisht nuk më vjen e papritur kjo shfaqje vulgariteti vetëdiskreditues që flet vetë për nivelin e Vladimir Kostës. Sulmin e tij në vigjilje të finalizimit të Reformës në Drejtësi e marr si kompliment për kompaninë dhe për drejtimin tim me ligjshmëri dhe transparencë. Reforma në Drejtësi ende pa u miratuar po tregon se çfarë vlere të madhe ka për të ndarë njerëzit që duan shtet, drejtësi, rregulla nga ata që duan të vazhdojnë në rrugën e vjetër të përfitimeve të paligjshme.”- thuhet në reagimin e administratorit të OSHEE-së.