Nga Fatmira Nikolli
Të dielën në mbrëmje në orën 20:00 në Kinema Millenium u shfaq premiera shqiptare filmit “Delegacioni” të Bujar Alimanit, fitues i “Grand Prix” në kinema Millenium. Filmi shfaqej në kuadër të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Tiranë TIFF. Të shtunën në drekë, zëdhënësja e festivalit, Genta Ramadani, përmes një grupi në ‘Whatsapp’, ju shkruan gazetarëve: “Me këtë rast po ju njoftoj që nesër në ora 20:00 shfaqet premierë filmi ‘Delegacioni’, nga Bujar Alimani. Pas filmit ka sesion pyetje & përgjigje. Jeni të ftuar me kënaqësi, por do ju lutesha konfirmim pasi vendet në kinema Millenium janë të limituara”. Zëdhënësja merr konfirmimet nga gazetarët e kulturës dhe në vijim njofton për filma të tjerë në festival. Por parapremiera e “Delegacionit” u shndërrua në një skenë fyese për të ftuarit dhe familjarët e ekipit të filmit. Ardhja e kryeministrit në kinema trazoi ujrat. Në fillim me preteksin se protokolli i shefit të qeverisë nuk lë të hyjë asnjë gazetar të paakredituar, më pas me pretekstin se nuk keni bileta, e më pas nuk keni ftesa, gazetarët e ftuar nuk u lanë të hyjnë në sallë. Askush nuk ishte në gjendje të shpjegonte saktësisht se çfarë po ndodhte. Vetë zëdhënësja e festivalit ngrinte duart lart me shpjegimin se edhe ajo sapo ishte vënë në dijeni dhe nuk kishte se çfarë zgjidhje të jepte.
Megjithatë, gazetarëve u tha të presin se do të mund të bëhej diçka. Grupi i reporterëve u mblodh jashtë kur befas, në krah të tyre mbërrin i irrituar aktori Ndriçim Xhepa. As ai nuk ishte lënë të futej nga hostess e kinemasë, sepse nuk kishte biletë. Irritimi i Xhepës solli menjëherë jashtë Agron Domin organizator i festivalit dhe Ilir Butkën kryetar i Qendrës Kombëtare të Kinematografisë. Të dy i kërkonin Xhepës të hynte në sallë, sepse interpreton në filmin që shfaqej, por ai tanimë i fyer refuzon.
“Nuk hyj brenda se nuk kam biletë. E kam parë filmin tre herë, nuk dua ta shoh më. Do rri jashtë të pi një kafe”. Ndërkaq, Ilir Butka dëgjohej të thoshte se ia kish dhënë biletën e tij kryeministrit, e Agron Domi, premton t’i japë Xhepës, biletën e tij. Xhepa refuzon, ata i luten, e tërheqin për krahu, tanimë bashkë me hostess-en e kinemasë që ka dalë nga dera që u përplas të gjithëve. Gazetarët janë përkrah, shohin çdo gjë, dëgjojnë çdo gjë, madje edhe e xhirojnë skenën. Xhepa pranon të hyjë pas lutjeve, i kërkohet ndjesë dhe i thuhet “se nuk e njohën”. Qesharake! Nuk njohën Ndriçim Xhepën. Gazetarët thërrasin Agron Domin për të ditur se çfarë do bëhet me ta, por ai nuk dëgjon. Vrapon brenda. Kryeministri ka hyrë, ministrja e Kulturës po ashtu, shfaqja duhet të nisë. Ç’rëndësi kanë gazetarët?! Pak minuta më vonë, dëgjohen duartroktije. Ne jemi ende jashtë duke pritur që dikush të na sqarojë, se çfarë do bëhet me median. Asgjë. Pas duartroktitjeve, Genta Ramadani del dhe vjen pranë tyre. Kërkon ndjesë dhe ofron keqardhjen e saj me shumë edukatë. Por gazetarët nuk kanë mbërritur në kinema për të gjetur aty keqardhje. Gazetarët thotë ajo, nuk mund të hyjnë gjithësesi. As ato që sigurojnë ftesa nuk lejohen më. Filmi vijon, teksa media ndalohet. Jemi para një situate të turpshme dhe qesharake.
Pra, qeveria nuk jep fonde për festivalin, festivali del në media të ankohet, por kur shefi i qeverisë vendos të shfaqet në festival gazetarëve të ftuar, festivali (apo kush?! Sepse nuk morëm kurrë një përgjigje) u ndalon hyrjen duke ricikluar qasjen negative të vetë kryeministrit ndaj mediave.
Gazetarëve të akredituar, festivali nuk u kishte bërë gati badge. E nëse media është një entitet i madh, që shkon deri te pronarët dhe marrëdhëniet e tyre me qeverinë, festivali u ndaloi hyrjen gazetarëve të kulturës, që nuk janë më pjesë e një entiteti të madh (dhe kësisoj pothuaj anonim) me dy raporte- janë gazetarë që drejtuesit e festivalit i njohin personalisht, emër për emër prej vitesh. Me gjasë, siç ndodh rëndom, faji do hidhet degë më degë, nga ‘protokolli’ i kryeministrit te hostess-et e kinemasë që ndaluan dhe aktorin e filmit që shfaqej, Ndriçim Xhepa, mandej te produksioni i vetë filmit. E vërteta është që filmi shfaqej në një festival, zëdhënësja e të cilit prej së shtunës kishte kërkuar konfirmime për gazetarët që do ishin të pranishëm- për çka faji i mbetet atij që fton e të mbyll derën duke ta përplasur surratit. Por po, ne kemi qeverinë që meritojmë, sepse lëmë jashtë Ndriçim Xhepën për të futur brenda shefin e qeverisë; dhe po ne kemi qeverinë e shtetin që meritojmë, sepse lëmë jashtë gazetarët për të futur kryeministrin pas të cilit vrapojmë.
Me gjasë ditët në vijim media e vetme që do e ndjekë TIFF do jetë “ertv”, drejtuesi i së cilës mirëpret çdo ofertë të pakërkuar, si kjo e një festivali që bëhet shpurë e tij.
Çka përndryshe nuk do të përbënte asnjë problem për t’u pajisur vetë me biletë secili gazetar nëse paraprakisht do i ishte thënë ta bënte. Por kur gazetarët ftohen për një film dhe sesion pyetje&përgjigje dhe konfirmojnë, për të lënë të lirë rradhën e tyre në kinema si besnikët e festivalit e si përcjellësit e lajmeve, ftesa dhe orët e humbura në oborrin e betontë me duart e ngritura lart të zëdhënëses, janë kategoria ZH e një festivali filmi. Sepse kategoria përcaktohet jo veç prej filmave, por edhe prej këtyre raporteve me median dhe vetë imazhin e një festivali. Mendojeni pak që prania e Emanuel Makron në Kanë të lërë gazetarët jashtë. Tingëllon absurde. Po! Po! (E di që) TIFF nuk është Kana, Rama nuk është Makron, unë nuk punoj për ‘Hollywood Reporter’ dhe Shqipëria nuk është Franca- kjo që ndodhi të dielën e bëri më të qartë. Por ai kuartet i ç’harmonizuar më lart tregon qartë pse ne jemi këtu ku jemi e ata atje ku janë.