Gjatë fjalës së tij në konferencën e ambasadorëve, që u zhvillua në kryeministri, shefi i qeverisë Edi Rama theksoi se e nesërmja mund të ketë kosto të pallogaritshme në varësi të fatit që do të ketë reforma në drejtësi.
Kryeministri theksoi vendosmërinë për të bërë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë, për të gjetur rrugën e kompromisit për miratimin e reformës.
“Është e ditur botërisht se rruga që kemi bërë drejt BE-së kushtëzohet në drejtimin dhe shpejtësinë e saj nga miratimi i reformës në drejtësi. Një reformë me interes strategjik për Shqipërinë. Një reformë me rëndësi të jashtëzakonshme për vendin e Shqipërisë në rajon dhe raportin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Vështirë të gjendet në historinë e këtyre 25 vjetëve një angazhim kaq i gjithanshëm i komunitetit të miqve dhe partnerëve ndërkombëtarë në kohë paqeje për Shqipërinë sa angazhimi për reformën në drejtësi. Ju e keni vetëdijen e plotë nga kontakti i vazhdueshëm me të gjitha vendet partnere në këtë proces për peshën e jashtëzakonshme që ka kjo reformë në raport me marrëdhëniet tona me BE, imazhin besueshmërinë e Shqipërisë në sytë e partnerëve tanë strategjikë dhe në raport me të nesërmen që mund të vijë me një energji të re, por edhe me një kosto të pallogaritshme, në varësi të fatit të kësaj reforme. Dua ta nënvizoj edhe përpara jush që ne jemi shumë të vendosur që deri në momentin e fundit të bëjmë çdo përpjekje, në përputhje të plotë me qëllimin dhe me qëndrimin e partnerëve tanë strategjikë”– deklaroi kryeministri Rama