Kryeministri si lektor në Kolegjin e Europës në Belgjikë në aktivitetin me temë “Të mbajmë gjallë Ëndrrën e Europës së Hapur”
Lodhja nga zgjerimi, vë në rrezik fuqinë transformuese të BE-së mbi “europianizimin” e vendeve të rajonit” ka thënë kryeministri Rama në fjalën e tij në konferencën me temë “Të mbajmë gjallë Ëndrrën e Europës së Hapur”. Në rolin e lektorit në Kolegjin e Europës në Bryzh, Belgjikë, kryeministri Rama foli mbi kuptimin e Bashkimit Europian dhe procesin e zgjerimit në pikëpamjen shqiptare dhe rajonale. Në fjalën e tij ai theksoi rrezikun që i kanoset procesit për shkak të lodhjes nga zgjerimi.
Në kontekstin e reformave integruese, Kryeministri veçoi reformën në drejtësi ku theksoi se është një hap vendimtar për Shqipërinë I cili do të kalojë sipas tij me sukses. “Tani jemi në fazën e parë të finalizimit të reformës në drejtësi. Komisioni i Venecias është i pranuar nga të gjithë si një këshilltar mbi palët, ndaj jam besimplotë që do të kalojmë pengesat.”
Kryeministri u ndal edhe në atë që e quan paradoks, mosdhënien ende të së drejtës për lëvizjen e lirë të qytetarëve në Kosovë.
“Qytetarët në Kosovë, sot nuk mund të lëvizin të lirë, ndërsa ironikisht, në kohën kur ishin një komunitet i margjinalizuar në Jugosllavi, mund të lëviznin pa probleme. Ata janë shteti i vetëm në Europë që kanë ende nevojë për viza. Ky është një paradoks i tmerrshëm për ta. Kjo i bën të ndihen në kurth në shtetin e tyre të pavarur dhe kjo ngjan si një tradhti nga ana e Europës, në këndvështrimin e njerëzve të thjeshtë.”, tha Rama.