Kryeministri Rama i ka dërguar sot një ftesë për takim kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Letra e Ramës ka mbërritur në selinë e Partisë Demokratike ku propozon takimin nesër në orën 11:00 dhe sqaron se i lihet hapësirë takimi edhe në çdo orar tjetër. Pritet që shumë shpejt, një letër e liderit të opozitës të mbërrijë në selinë e kryeministrisë me përgjigjen e ftesës për takim.
“Duke qenë se vendi i takimit është lënë në zgjedhjen e Kryeministrit, ai mund të zhvillohet në Sallën e Hartave, në godinën e Këshillit të Ministrave. Kryeministri do të jetë i shoqëruar nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën në Drejtësi, Z. Fatmir Xhafaj, si edhe nga Kryetari i Komisionit parlamentar për Reformën Zgjedhore, Z. Bashkim Fino.
Zoti Basha është mëse i mirëpritur të vijë i shoqëruar sipas dëshirës së tij. Në kuadër të këtij takimi, Kryeministri do të dëshironte të trajtonte sëbashku me Kryetarin e Partisë Demokratike, çështjen e Reformës në Drejtësi, atë të Reformës Zgjedhore dhe çdo çështje tjetër me rëndësi dhe interes të përbashkët”, theksohet në letrën e Ramës.
Një ditë më parë, Kryeministri Rama dhe kryetari i opozitës Lulzim Basha u shfaqën në Top-channel të gatshëm për një takim mes tyre.