“Mungesa e reformave përvëloi një gjeneratë të tërë”, tha Rama dhe pikërisht këto reformat ë munguara në 25 vjet, sipas tij po i bën qeveria që drejton. Në Forumin e Grave Socialiste, Edi Rama foli për reformat e ndërmrra edhe në funksion të grave duke veçuar se qeveria e tij, ka prioritet rritjen e vendimarrjes së grave në politikë. Kryeministri foli edhe për akuzat e deputeteve demokrate, të cilat pretendojnë se kryeministri i ka fyer.
“Nuk mund të pranojmë dot asnjë leksion nga ata që kur ishin në qeveri e kishin një çetë me burra e mbanin një grua për hajmali apo leksione nga burra që abuzojnë gratë për t’i bërë viktima. Por, sa më shumë të na luftojnë aq më shumë na forcojnë. Saliu thotë e kam dëgjuar nga Enver Hoxha, por Enver Hoxha e kishte dëgjuar nga populli dhe unë aty e kam marrë. Qentë le të lehin karvani të ecë përpara”, tha Rama para grave të PS-së.
Siç e ka bërë zakon sa herë del në publik, kryeministri e mbylli fjalën me batutën e radhës duke thënë se ndjehej shumë mirë si burrë mes kaq shumë grave dhe: “Jam feminist, sepse jam socialist dhe artist.”