2 mujori, shpenzimet kapitale sa 55 për qind e planit
Tatimet e doganat kanë sjellë shifra optimiste të realizimit të të ardhurave. Por institucionet shtetërore nuk I janë përgjigjur me të njëtit ritëm realizimit të shpenzimeve, e sidomos investimeve, për të cilat ekonomia ka nevojë më shumë se kurrë.
Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave të ardhurat totale janë realizuar në masën 60.2 miliardë lekë ose afërsisht 586 milion lekë më shumë se plani 2 mujor i vitit 2016. Me një tejkalim 3 për qind është edhe zëri i të ardhurave nga tatimet dhe doganat ku përfshihen edhe kontributet nga sigurimet shoqërore. Krahasuar me të njëjtën periudhë të 2015 tejkalimi është 21 për qind. Të detajuara shifrat sipas taksave janë pothuaj të gjitha me tekalime në vetvete, si për akcizat, tvsh, të tatimit mbi të ardhurat dhe të tatimit mbi fitimin. Përjashtim bëjnë të ardhurat nga renta minerale që kanë rënie të mëdha. Por për shkak të volumit që zënë mosrealizimi I tyre është mbuluar me tejkalimet në taksat e tjera.
Pamje tjetër ofrohet nga shpenzimet e përgjithshme publike. Në 2 mujorin e vitit buxhetor 2016, janë harxhuar 50.2 miliardë lekë, ose sa 86 për qind e planit. Të detajuara shifrat janë si më poshtë: shpenzimet korrente morën 48.5 miliardë lekë ose sa 92 për qind e planit 2 mujor, ndërsa shpenzimet kapitale, ku futen edhe investimet për 2 mujorin e vitit 2016 janë realizuar në masën 55 për qind të atyre të planifikuara për 2 mujorin e vitit 2016.
Ky nivel iulët i shpenzimeve publike dhe tejkalimi në të ardhura ka krijuar një sufiçit prej 9.9 miliard lekë në buxhet. Pra qeveria ka para dhe nuk arrin ti shpenzojë në një kohë që ekonomia është në krizë.