Kur duhet vetëm një javë, kur më 18 qershor Kuvendi pritet të miratojë projektligjin për amnistinë penale, Ministria e Drejtësisë po rishikon një prej elementëve kryesorë të draftit. Bëhet fjalë për datën kufi të vendimeve të formës së prerë, e cila do të përcaktojë edhe numrin final të përfituesve. Zv ministrja e Drejtësisë Elona Hoxha tha se nuk do të jetë më data 31 dhjetor 2025
“Aktualisht që flasim amnistia po i nënshtrohet diskutimeve në komisione parlamentare. Ne jemi duke e rishikuar datën 31 dhjetor 2025, datë e cila do të bëhet me dije në datën 18 qershor kur amnistia të kalojë në parlament.”
Drafti aktual thotë se “burrat që deri më 31 dhjetor 2025 janë dënuar me vendim të formës së prerë deri në 3 vite burg ose u ka mbetur pa shlyer 3 vite, apo gratë që janë dënuar apo u ka mbetur pa shlyer 4 vite burg deri ditën e fundit të vitit t3ë kaluar do të lirohen menjëherë”.
Ndryshimi i kësaj date, duke e shtuar me disa muaj datën kur vendimet apo dënimet do të llogariten, pritet të zgjerojë rrethin e personave që do të përfitojnë nga amnistia.
“Shifra reale e personave që përfitojnë nga amnistia, shuarje apo ulje dënimi, do të varet nga dita kur amnistia do të hyjë në fuqi”, thotë zv. ministrja.
Por qeveria vendos një vijë të kuqe për personat e dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar. Projektligji parashikon përjashtimin e plotë të të gjithë personave që bien nën juridiksionin e SPAK dhe GJKKO-së, si dhe autorëve të një sërë veprash me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
“Kjo amnisti ka zero tolerancë kundrejt subjekteve të SPAK-ut dhe GJKKO-së. Lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit është prioritet i qeverisë shqiptare, ndaj të gjithë personat që bien nën juridiksionin e SPAK dhe GJKKO-së janë totalisht të përjashtuar si dhe atë dënuar për zgjedhje dhe krime mjedisore”, vijon Hoxha.
Sipas Ministrisë së Drejtësisë, amnistia mbështetet në parimet e humanizmit dhe rehabilitimit.
“Kjo amnisti ka një fokus të shtuar tek grupet vulnerabël si të miturit, gratë, nënat me fëmijë dhe personat me moshë të thyer. Por nga kjo do të përfitojnë edhe burgjet, që do të lirohen nga ngarkesa. ”, thotë zv. ministrja e Drejtësisë.
Nga të dhënat e Ministrisë së Drejtësisë, pesë gra përfitojnë shuarje të menjëhershme të dënimit dhe dhjetë të tjera ulje dënimi. Ndërkohë, katër të mitur përfshihen në kategoritë përfituese. Efektet më të mëdha priten tek personat që vuajnë dënimin në shërbim prove.
“Rreth 2163 persona përfitojnë shuarje të menjëhershme dënimi, ndërsa për 2914 të tjerë ulet masa e dënimit”
Pavarësisht debatit që shoqëron çdo amnisti, qeveria këmbëngul se siguria publike nuk preket, pasi nga përfitimet përjashtohen autorët e veprave më të rënda penale. Megjithatë, numri përfundimtar i përfituesve do të mësohet vetëm pasi të përcaktohet data e re kufi që do të përfshihet ne ligjin per amnistine. /Report TV







