Nga Urim Gjata
Para disa ditësh Kryeprokurorja Speciale e Maqedonisë kërkoi arrestimin e disa zyrtarëve të lartë të qeverisë së Maqedonisë të akuzuar për manipulime të procesit zgjedhor, rryshfet në këmbim të votës dhe shkelje të të drejtës për të votuar. Midis të akuzuarve ishte edhe kryetari i Bashkisë së Pustecit në Shqipëri, Edmond Temelko. Sipas prokurores Fatime Fetai hetim është hapur për: organizim kriminal, lëndim të të drejtës zgjedhore, lëndim të lirisë së zgjedhësve, korrupsion gjatë zgjedhjeve dhe votimit shkatërrim të materialit zgjedhor dhe, keqpërdorim të mjeteve nga fushata zgjedhore. Sipas elaborimit të detajizuar të prokurores speciale Fatime Fetai, në vitin 2012 të dyshuarit në cilësinë e ministrit për Punë të Brendshme, për transport dhe lidhje, sekretar në Qeveri dhe persona tjerë deri tani të panjohur për të qëndruar në pushtet partia në nivel vendor dhe qendror kanë kryer vepra penale, për të cilat parashihet dënim me burg nga tre vjet e më tepër. Prokuroria speciale ka bërë të ditur se janë ngritur aktpadi ndaj pesë gjykatësve nga Gjykata Administrative si dhe ndaj katër anëtarëve të KSHZ-së nga viti 2013.
Që nga viti 2011 janë prodhuar me mijëra letërnjoftime të Maqedonisë fallco ku bie në sy edhe pajisja në mënyrë të jashtëligjshme të rreth 2.000 sllavo-maqedonas që jetojnë në Bashkinë e Pustecit në Shqipërisë. I akuzuari kryesor për pajisjen me letërnjoftime të fallcifikuara të banorëve të Pustecit është kryetari i përjetshëm i bashkisë Edmond Temelko, beniamin i Ambasadorit te Maqedonisë në Tiranë, Stojan Karajanov. Temelko u arrestua në aksionin e njohur “Titaniku”. por për çudi gjykata e Maqedonisë e liroi atë. Ky fakt vërtetoi edhe njëherë se Institucionet Shtetërore në Maqedoni udhëhiqen nga njerëz të korruptuar që janë vënë në shërbim të politikës ditore të qeverisë së VMRO-DPMNE.
Banorët e Pustecit për herë të parë u shfaqën në zgjedhjet në Maqedoni në vitin 2013. Nga atëherë numri i tyre në zgjedhje vazhdimisht njeh rritje. Kryetari komunës Temelko i mbështetur në çdo hap nga Ambasadori i Maqedonisë në Tiranë, Stojan Karajanov ka kthyer komunën në pashallëk të tij, kështu që fjala e tij atje është e pakthyeshme. Disa vite më parë një kanal televiziv në Tiranë kishte filmuar manipulim të votave nga Edmond Temelko gjatë procesit zgjedhor në Shqipëri dhe Maqedoni. Çështja është nëse Gjykata e Shqipërisë do ngrejë akuzë Temelkon për fallcifikim të proceseve zgjedhore? Kryetari i Pustecit Edmond Temelko njihet edhe për deklaratat e tij nacionaliste për nxitje të frymës së urrejtjes etnike dhe fetare.
Skenari i zgjedhjeve të vitit 2013 në Maqedoni do të përsëritet nën dirigjimin e Ambasadorit Stojan Karajanov, i cili ka urdhëruar strukturat drejtuese të AMIE (Themelkon dhe Sterjovskin) për përgatitjen e listave me votues nga Golloborda, Korça dhe Pogradeci, pajisjen e tyre me karta ID, për të votuar në favor të VMRO-së.
Gjithashtu edhe koordinatorët e sekretariatit të VMRO-së janë hedhur në aktivitet për këtë qëllim duke aktivizuar komitetet ndërkufitare të zgjedhura prej tyre në Republikën e Shqipërisë.