Puna nga shtëpia, që nisi si një opsion i detyruar nga karantina, tani është kthyer në një normalitet për disa kompani dhe profesione kyçe. Korporatat e mëdha po aplikojnë rotacionin, ku deri në 50% e stafit, në departamente të caktuara, punojnë nga shtëpia, ndërkohë që paralelisht kryejnë investime në sisteme. Kompanitë e Teknologjisë së Informacionit pohojnë se bizneset po bëjnë “presion” që kontratat e reja, të zbatohen sa më shpejt, për shkak të frikës së një mbylljeje të dytë. Paralelisht po investohet në disa drejtime si automatizimi i proceseve, sistemet ERP apo të menaxhimit të klientëve. Fiskalizimi dhe maturimi i biznesit janë dy faktorë të tjerë, përveç pandemisë, të cilët po ndikojnë në kërkesën për investime në teknologji.
Nga Nertila Maho
Edisoni e nis çdo ditë punën në 15:00. Nuk është ajo puna tipike ku të duhet të nxitosh për të kapur oraret dhe të bësh check-in në zyrë. Në fakt, zyra e tij është shtëpia ku jeton. Të gjitha pajisjet i ka të instaluara aty bashkë me aplikacionet dhe software-t që i duhen për të zhvilluar në mënyrë produktive punën. Kompania për të cilën punon është një nga më të mëdhatë në fushën e TECH-Call në kryeqytet. Kjo e fundit ka lidhur kontratë me Amazon në Itali dhe jep shërbime për të, kryesisht atë të kujdesit për klientin.
“Puna nga shtëpia nuk erdhi për shkak të pandemisë, por kështu është profili i saj. Ne trajnohemi paraprakisht për të dhënë shërbimin e klientit dhe mua më takon turni i dytë. Gjithsesi, në këtë kohë pandemie, për çështje sigurie e shoh më mirë këtë pozicion pune. Jam një njeri social dhe më pëlqen puna në grup dhe marrëdhëniet shoqërore. Kjo pjesë është i vetmi disavantazh që shoh te puna në shtëpi, pra të mungon socializimi. Gjithsesi këtë e kompenson sadopak fakti që puna jote ka të bëjë çdo ditë me klientë të ndryshëm, me pyetje dhe sigurisht e bëj me kënaqësi, se të mban aktiv” tregon ai.
Nëse do të zgjidhte një punë nga shtëpia apo një punë nga zyra, ai shprehet i dyzuar. Secila ka të mirat dhe disavantazhet e veta, por vlerëson se në finale, një punë që të jep kënaqësi dhe të paguan mirë, pavarësisht ambientit ku zhvillohet, është një punë e mirë.
Rasti i Edisonit është specifik. Kompania e ka parë të arsyeshme që një pjesë të stafit ta ketë me punë të përhershme nga shtëpia. Ky model po funksionon dhe i jep asaj mundësi të ketë më pak shpenzime, pasi qiraja apo elemente të tjera të operimit në një ambient të caktuar eliminohen.
Pavarësisht tendencës së punës në distancë, kompanitë që ofrojnë shërbime për të tretë nuk e kanë eliminuar tërësisht punën nga zyra. Disa kanë vendosur të marrin ambiente më të mëdha, ndërsa një pjesë tjetër të alternojnë punën herë nga shtëpia, e herë nga zyra. Në këtë kohë pandemie, një tjetër element në lulëzim është edhe investimi në sisteme të reja të teknologjisë.
Kompanitë, punë me rotacion nga shtëpia për disa departamente
Tendenca e punës në distancë u evidentua sidomos gjatë karantinës së detyruar, kudo në botë, përfshirë edhe Shqipërinë në periudhën mars-maj. Por, në realitet, jo të gjitha profesionet kanë mundësi ta aplikojnë këtë. Për shembull, ndërtimi, një sektor që nuk e ndali punën në asnjë moment, nuk mund t’i zhvendoste kantieret “online”, por vetëm disa procese pune.
Po kështu, edhe sektori bankar. Zyrat e administratës, pra të degëve qendrore mund të punojnë nga shtëpia (diçka që ende vazhdon), por për degët ku marrin shërbim klientët, puna nuk mund të bëhet në distancë. Korporatat e mëdha, edhe sot e alternojnë punën nga shtëpia. Paralelisht, ato po bëjnë investime në sisteme, që ua lehtëson procesin e punës në kushtet e pandemisë. Armand Frangu, drejtor ekzekutiv i kompanisë B360, thotë se pozicionet e punës të mirëfillta për të punuar nga shtëpia janë ende jashtë kulturës sonë të punës.
“Ka rezultuar shumë e suksesshme në lloje institucionesh apo biznesesh të ndryshme sistemi miks: 2-3 ditë shkon në zyrë full-time dhe 3 ditë punon nga shtëpia. Gjëja më e mirë që mbeti nga pandemia është se bizneset përmirësuan sistemet e komunikimit, punës nga shtëpia e ndarjen e detyrave” – nënvizon ai.
Elvin Nosi, Drejtor i Burimeve Njerëzore i Grupit BALFIN, pohon se muajt e parë të pandemisë shërbyen si provë për stafin, kur puna nga shtëpia ishte ende e pa eksploruar masivisht, por vetëm për pak pozicione.
“Për disa pozicione të caktuara, në funksione të tilla si IT apo Komunikimet, puna nga shtëpia praktikohet me gjerë, ku rreth 40 – 50% të stafit punojnë me rotacion nga shtëpia. Këto përvoja të zgjeruara të punës nga shtëpia na kanë shërbyer për të nxjerrë në pah problematika të mundshme që lidhen me infrastrukturën teknike dhe angazhimin në punë, të cilat adresohen rast pas rasti nga strukturat përkatëse. Nisur edhe nga kjo situatë, ne jemi duke investuar në përmirësimin e infrastrukturës sonë teknologjike, për të mundësuar punën në distancë për disa pozicione” – tregon ai.
Kombinimi zyrë-shtëpi
Ka rezultuar shumë e suksesshme në lloje institucionesh apo biznesesh të ndryshme sistemi miks: 2-3 ditë shkon në zyrë full-time dhe 3 ditë punon nga shtëpia. Gjëja më e mirë që mbeti nga pandemia është se bizneset përmirësuan sistemet e komunikimit, punës nga shtëpia e ndarjen e detyrave
Rriten investimet në sistemet IT, përveç pandemisë ndikon edhe fiskalizimi
Operatorët e tregut në sektorin e IT vlerësojnë se është rritur kërkesa nga biznesi për investime në teknologji, por sipas tyre kjo nuk vjen vetëm si efekt i pandemisë. Padyshim që ajo ka rolin e saj, por edhe fiskalizimi (një nismë e qeverisë), si dhe maturimi i biznesit, kanë një peshë të caktuar në këtë kërkesë. “Në përgjithësi, pas verës bizneset kanë pasur mjaft kërkesa në teknologji.
Nuk jam në gjendje ta ndaj nëse kjo vjen si efekt i fiskalizimit, si shkak i maturimit apo panikut të mbylljes së mundshme nga COVID-19. Ne kemi presion që, për shkak të rritjes së numrave dhe mundësisë së një mbylljeje të dytë, kontratat e reja t’i përfundojmë sa më shpejt” – shprehet Armand Shara, administrator i “Infosoft Systems”. Por ndërsa investimi në pajisje, për t’u mundësuar punonjësve aksesin nga shtëpia ishte një tendencë që u raportua në muajt e karantinës, nga kompanitë kryesore të shitjes së aksesorëve dhe produkteve të kësaj natyre, investimi në sisteme erdhi më pas.
Kompani të sektorëve të caktuar si TECH-CALL apo të ndërtimit, janë përqendruar më shumë në automatizim, dixhitalizim, qendërzim dhe sisteme të integruar që i mundësojnë menaxhim me eficencë dhe në kohë më të shkurtër proceseve të punës.
“Një tjetër element që kemi vënë re është rritja e interesit për sistemet që menaxhojnë sistemet e brendshme të kompanisë. Flasim për të dhëna të strukturuara, si për shembull për proceset që kanë të bëjnë me miratimin e një kredie, siguracioni, leje. Të gjitha këto automatizohen dhe firmosja apo çuarja para bëhet online, pa qenë nevoja të jetë me letër dhe pa qenë nevoja të jesh dhe në zyrë. Ka interes për të automatizuar çdo linjë dokumentesh apo procesi”, pohon Sharra.
Automatizimi i proceseve
Një tjetër element që kemi vënë re është rritja e interesit për sistemet që menaxhojnë sistemet e brendshme të kompanisë. Flasim për të dhëna të strukturuara, si për shembull për proceset që kanë të bëjnë me miratimin e një kredie, siguracioni, leje. Të gjitha këto automatizohen dhe firmosja apo çuarja para bëhet online, pa qenë nevoja të jetë me letër dhe pa qenë nevoja të jesh dhe në zyrë. Ka interes për të automatizuar çdo linjë dokumentesh apo procesi
Lidhur me E-commerce (tregtia online) që u duk se mori zhvillim të vrullshëm gjatë izolimit, aktorët e tregut pohojnë se bizneset keqkuptojnë praninë në internet nëpërmjet një faqeje web dhe tregtinë e vërtetë online.
“Të vetmet që bënë investime në këtë drejtim ishin bizneset retail që krijuan apo përmirësuan portalet për shitjet online, të cilat patën përdorim të gjerë dhe të suksesshëm në kohën e izolimit dhe një pjesë e shtesës së biznesit u mbeti edhe pas rihapjes” – tregon Frangu.
Nga ana tjetër, sa i takon E-commerce kërkohet investim më tërësor në sisteme, pasi ato janë të lidhura zinxhir.
“E-commerce ka rritje, por ajo që dua të përmend është se pjesa kryesore e cila duhet për këtë lloj biznesi, është sistemi ERP. Nëse një biznes nuk ka sistem të konsoliduar që menaxhon sistemet e veta, e ka të vështirë të ketë një sistem E-commerce të qëndrueshëm. Bizneset e kanë kuptuar që investimi drejt E-commerce është i ndryshëm nga ideja e thjesht pranisë në web ku ti tregon profilin e kompanisë, shërbimet apo produktet. Të ndërveprosh me bizneset dhe klientët duhet shumë më shumë sesa një web, duhet një ERP e konsoliduar” – nënvizon Armand Shara, nga “Infosoft Systems”.
COVID-19 zhvillon trendin e hapësirave fleksibël, puna nga shtëpia ende larg
Karantina detyroi bizneset që brenda ditës të kalonin nga kultura e punës në zyrë në atë të shtëpisë. Sigurisht në rastet kur kjo ishte e mundur. Por sa eficente ka qenë praktika në tërësi.
Jonian Antoni, nga Century21, tregon se në fillim kjo ishte diçka pozitive, pasi njerëzit po punonin edhe jashtë orarit, por më pas, kur masat kufizuese u hoqën ndarja e kohës së punës dhe asaj me familjen nuk po bëhej shumë e qartë.
“Fillimi i pandemisë dhe fillimi i metodës work from home (punë nga shtëpia) u duk interesante dhe premtuese për nga rendimenti që po jepte, pasi tek ato biznese që e kishin të mundur ta aplikonin këtë mënyrë të punuari, rendimenti u rrit për një kohë të shkurtër, duke qenë se mungesa e orareve bëri që njerëzit të punonin edhe overtime (jashtë orarit). Më pas u vu re që kjo nuk ishte më produktive, pasi individët po ngatërronin pjesën dhe kohën e shpenzuar me dhe për familjen me pjesën e punës” – pohon ai. Kjo bëri që me lehtësimet dhe heqjen e karantinës, bizneset të kthehen në zyra, por këtë herë me një trend të ri, atë të hapësirave fleksibël.
“Pas heqjes së karantinës duket se kompanitë u janë rikthyer planeve të tyre të zhvendosjes, kësaj radhe duke qenë më të kujdesshme në planifikimin e brendshëm hapësinor, si dhe krijimin e hapësirave të brendshme me shumë përdorim nga përdorues të ndryshëm. Pra janë përpjekur për të sjellë pak atë që në gjuhën e pasurive të paluajtshme komerciale e quajmë hapësirë fleksibël, e cila mund të përdoret nga shumë përdorues në ditë të ndryshme të javës.
Ky reagim i tregut vendas është i ngjashëm edhe me reagimin e tregjeve të tjera më të zhvilluara, ku hapësira tradicionale e zyrave nuk po zvogëlohet, por vihet re rritja e hapësirave fleksibël të preferuara nga kompanitë në zhvillim e sipër, të cilat nuk dëshirojnë të lidhen ligjërisht me kontrata afatgjatë, shumë të vështira për t’u ndryshuar apo për t’u prishur nga ana e qiramarrësve” – shprehet Stela Dhami, nga Colliers International Albania./Monitor