Budapesti do të mirëpresë sonte finalen e madhe të Champions League mes PSG-së dhe Arsenalit, sfidë kjo e planifikuar për të nisur në orën 18:00.
Të dyja skuadrat vijnë në këtë “përplasje” me ambicien për të lënë gjurmë të pashlyeshme dhe një faktor kyç që shpjegon më së miri pse kjo përballje ka shumë për të ofruar në fushën e lojës e tregojnë qartë të dhënat.
Parizienët janë një makineri e pandalshme golash dhe në të gjitha ndeshjet që kanë zhvilluar deri në këtë stacion final numërojnë plot 44 gola. Ata janë vetëm 1 gol larg rekordit historik që mbahet nga Barcelona në sezonin 1999-2000, kur asokohe katalanasit shënonin plot 45 gola.
Nëse në kampin kuqeblu mbizotëron “oreksi” për gola, tek londinezët dinë të ngrenë “murin” kur bëhet fjalë për të mbrojtur portën nga pësimi i golave. Edhe pse duhet potencuar që “Topçinjtë” kanë treguar një rendiment të lart edhe në repartin e sulmit, në momentin që faza mbrojtëse bën detyrat siç duhet, e ke të siguruar një pjesë të fitores.
Vetëm 6 gola të pësuar në 14 ndeshje, mes të cilave 9 porta të paprekura. Bilance mbresëlënëse për një skuadër që përballë një kundërshtari që armën më të fortë ka sulmin, ka gati dhe “kundërhelmin” për t’i paraprirë rrezikut e në rastin më të mirë për të fituar trofeun e dytë sezonal, pasi titullit në Premier League.










