Klosi: konkurojnë 1000 kandidatë në Berat, Fier, Elbasan e Korçë
Pas përfundimit të zgjedhjeve në Organizatat Socialiste, sot nis zgjedhja e anëtarëve të Kongresit të PS-së. Sekretari organizativ i kësaj partie Blendi Klosi tha se Delegatët e Kongresit zgjidhen sipas parimit “Një anëtar – një votë”. Klosi tha se sot do të zgjidhen delegatët e Kongresit të Partisë nga anëtarësia e katër qarqeve, Berat, Fier, Elbasan e Korçë. Në zgjedhjet e ditës së sotme konkurojnë afro 1000 kandidatë për delegatë të Kongresit të propozuar nga anëtarësia e partisë e 23 bashkive në përbërje të të cilave janë 151 njësi administrative. Sipas kritereve të përcaktuara 50 përqind e kandidaturave janë shoqe dhe një e treta e tyre janë të moshës 18 – 25 vjeç.
Sekretari orgnizativ i PS-së tha gjtihashtu se për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit është ngritur infrastruktura e nevojshme zgjedhore. Përveç Komisionit të Zgjedhjeve të partisë në qendër, funksionojnë Komisionet e zgjedhjeve bazë bashkie dhe Komisionet bazë Njësie Administrative, të cilat janë organet përgjegjës për zgjedhjen e delegatëve të Kongresit. Qendrat e Votimit janë të ngritura në secilën nga 151 njësitë administrative të qarqeve të përfshira në votimin e sotëm për zgjedhjen e delegatëve.