Pas protestave të shumta për mbrojtjen e vlerave arkeologjike të Durrësit, shoqëria civile, ka akuzuar Gjykatën Administrative për ndryshim të vendimit të saj, në favor të Bashkisë si investitor i projektit për ndërtimin e sheshit “Veliera”.
Avokatja e çështjes Mirela Jorgo deklaron se menjëherë kanë kërkuar nga prokuroria e Durrësit sigurimin e regjistrimit audio të seancës gjyqësore për të përballur ndryshimet në vendim.
“Seanca gjyqësore u bë me dyer të mbyllura dhe vendimi u dha i qartë dhe i pastër që nuk lejohen punimet në pjesën e sipërme të rrugës…”, tha Jorgo, avokate dhe aktiviste.
Jorgo tha se nuk është në dijeni, nëse është bërë regjistrimi audio, ndonëse ky është një detyrim ligjor i Gjykatës, ndërsa hedhjen e betonit nga ana e Bashkisë e quan të paprecedentë.
Mesditen e së shtunës, të gjithë qytetarët shqiptarë janë ftuar në një protesta masive, në mbrojtje të Durrësit historik dhe vlerave të tij.