Edhe pse na ndajnë vetëm pak orë nga protesta e thirrur nga kreu i PD-së, Sali Berisha policia ka nisur zbatimin e planit të masave, siç dhe ndodh shpesh kur ka protesta në kryeqytet. Siç duket edhe në pamjet e siguruara policia ka nxjerrë në rrugë, autobotë të blinduar me ujë, që përdoren kryesisht për shpërndarjen e turmave. Ende nuk dihet nëse këtë protestë do të ketë përdorim të gazit lotsjellës.
Selia blu ka kërkuar leje në Policinë e Tiranës për protestën nga ora 19:00 deri në 21:00, ndërsa është mësuar se në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, rrugën “Xhorxh Bush” dhe pjesërisht në bulevardin “Zhan Dark” do të kufizohet qarkullimi rrugor për automjetet prej orës 16:00.
Por përveç masave të marra nga policia për mbarëvajtjen e rendit dhe nga PD për ecurinë e protestës, edhe Kryeministria është hedhur në veprim, duke blinduar dyert e godinës, ashtu siç edhe është bërë zakon në tubimet e mëparshme të opozitës.