Prokuroria e Përgjithshme ngre shqetësimin për kultivimin e kanabisit.
Ajo ka shpërndarë një qarkore në prokuroritë e rretheve ku ngre problematikën për kultivimin e kanabisit. Burimet thanë se prokuroria edhe pse vlerëson punën e organeve ligjzbatuese në luftën kundër këtij fenomeni, vë re me shqetësim se tendenca për kultivimin e drogës është shtrirë në të gjithë vendin.
Në qarkore nënvizohet se në pjesën më të madhe të rasteve, kultivuesit e bimëve narkotike kanë shfrytëzuar sipërfaqe toke që janë në pronësi publike apo të ish-komunave, kryesisht pyje e kullota apo pranë burimeve të ujit dhe larg qendrave të banuara.
Burimet thonë se kohët e fundit është vërejtur tendenca e kultivimit të bimëve edhe në ambientë të mbyllura si tunele magazina dhe ndërtesa të vjetra apo edhe serra ku për rritjen e drogës përdoret energjia elektrike, ndërkohë vetëm në orët e fundit policia e Tiranës dhe Gjirokastrës njoftuan për shkatërrimin e 7 100 rrënjëve kanabis sativa.