Sipas Ministrisë së Financave 7 kompani kërkuan të jenë pjesë e garës
Sot mbyllet faza e parë e privatizimit të kompanisë shtetërore INSIG, ajo e tërheqjes së dokumenteve nga kompanitë që dëshirojnë të blejnë atë. Pak ditë më parë Ministria e Financave njoftoi se shtatë subjekte kanë shprehur interes dhe kanë tërhequr dokumentacionin e tenderit.
Pas mbylljes së kësaj faze sipas planeve të Ministrisë së Finacave do të duhen rreth 2 javë për shqyrtimin e dokumetacionit dhe pritet që deri në fund të muajit mars të ketë përfunduar klasifikimi. Kompania INSIG e vlerësuar nga BDO është nxjerrë për shitje për një vlerë prej 15 milion euro. Interesi për blerjen e saj ka qenë I lartë edhe për faktin se pavarësisht peshës shumë të vogël në treg, INSIG është zotëruesi I 30 milionë eurove depozita dhe investime në letra me vlerë. Njëkohësisht kompania zotëron katër licensa sigurimesh, dy në Shqipëri dhe nga një tjetër në Kosovë e Maqedoni.
Nga shtatë kompanitë e deklaruara se kanë shprehur interes, tre prej tyre janë operatorë të mëdhenj në tregun shqiptar. Dy prej tyre, SIGAL dhe Kastrati, operojnë në tregun e sigurimeve, ndërsa dhe një ndër grupet më të mëdha në vend, Balfin, po shqyrton mundësinë e hyrjes në këtë treg.
Duket se interesi për INSIG është nga dy drejtime. Në njërën anë janë operatorët aktualë të tregut që duan të marrin dhe pjesën e INSIG dhe në kahun tjetër sipërmarrje që duan të diversifikohen në tregun e sigurimeve.