Botërori 2026 pritet të sjellë një nga historitë më të veçanta dhe më të ndërlikuara jashtë fushës, me Iranin që do të marrë pjesë mes një situate të tensionuar në vend, i përfshirë në konflikt me një nga vendet organizatore.
Në një intervistë për Associated Press, gjatë grumbullimit në Turqi, dy lojtarë të kombëtares iraniane kanë folur hapur për ndikimin e situatës në përgatitjet e tyre për turneun botëror.
Mesfushori Saeid Ezatolahi, i cili do të luajë Botërorin e tij të tretë, pranoi se situata nuk është aspak e lehtë për ekipin.
“Për të thënë të drejtën, nuk është e lehtë. Ky do të jetë Botërori im i tretë, por për ne dhe për shumë lojtarë është e vështirë të menaxhojmë këtë situatë, sepse ndjekim lajmet nga vendi ynë dhe politika ndikon edhe në mentalitetin tonë”, u shpreh ai.
Skuadra iraniane ka kaluar më shumë se dy javë në Turqi, duke u stërvitur në Antalia, ndërsa disa lojtarë kanë udhëtuar në Ankara për procedurat e vizave për në SHBA dhe Meksikë. Problemet administrative kanë detyruar madje edhe ndryshimin e kampit stërvitor nga Arizona në Tijuana.
Iranit i është konfirmuar gjithashtu se ndeshjet e para do të zhvillohen pranë Los Angelesit, një qytet me komunitet të madh iranian, gjë që pritet të shtojë presionin mbi skuadrën.
“Presim shumë tifozë në stadium dhe kjo do të na japë motiv, por edhe presion. Shpresojmë t’i bëjmë krenarë”, shtoi Ezatolahi.
Ndërkohë, debutuesi Mohammad Ghorbani theksoi se skuadra është e përqendruar vetëm te futbolli, pavarësisht rrethanave të vështira.
“Ne jemi futbollistë dhe duhet të përgatitemi për ndeshjet. Por e dimë se populli ynë ka vuajtur shumë dhe ne do të luajmë për ta, për t’u dhënë gëzim dhe rezultate sa më të mira”, tha ai.
Ezatolahi dhe Ghorbani theksuan se kombëtarja iraniane dëshiron të paraqitet si një skuadër e bashkuar dhe të tregojë forcën e vendit në arenën ndërkombëtare.
“Jemi një ekip i vetëm nën një flamur dhe duam t’i sjellim gëzim popullit tonë”, u shprehën lojtarët, duke e mbyllur mesazhin e tyre përpara nisjes së Botërorit.









