Dardan Molliqaj akuzohet për prishje të rendit dhe qetësisë publike
Policia e Kosovës arrestoi sot, Dardan Molliqajn, sekretarin e Lëvizjes Vetëvendosje. Zyrtari i VV-së ishte shpallur në kërkim për akuzën “prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe dëmtimin e veturave zyrtare”. Policia e Kosovës sqaron se Policia ka zbatuar udhresën e Gjykatës Themelore për arrestimin e sekretarit të VV-së.
VV e cilësuar arrestimin e sekretarit Organizativ, një ditë pas protestës, si një veprim të kryer nën panikun e pushtetit në ikje. VV ka kërkuar lirimine menjëhershëm të Molliqajt dhe gjithë aktivistëve të saj.
“Protesta madhështore e 17 shkurtit ia ka bërë të qartë Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit se ditët e këtij regjimi antipopullor janë të numëruara. Prandaj, në panik e sipër ata po përdorin të gjithë aparatin e dhunës si mjeti i fundit për të mbajtur në këmbë regjimin e tyre te delegjitimuar.
Nuk ka dhunë që mund ta ndalë frontin e gjerë shoqëror të rezistencës që është ngritur kundër këtij regjimi. Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkon lirimin e menjëhershëm të Dardan Molliqajt dhe të të gjithë aktivistëve të tjerë që po mbahen të burgosur për shkak se kanë qenë në ballë të këtij fronti. Deri në lirimin e të gjithë aktivistëve dhe deri në ditën e largimit të këtij regjimi shtypës policor, në Kosovë nuk mund të ketë drejtësi dhe qetësi”, theksohet në deklaratën e VV-së.