Nga Nexhat Merxhushi
Si u vranë dhe u shpërngulën nga shovinistët grekë mijëra shqiptarë të Çamërisë, sipas parimit “Vdekje dhe Dëbim”. Ja faktet tronditëse që rrëfejnë historianët grekë
Krimet dhe masakrat ndaj popullsisë së pafajshme çame gjatë viteve 1944-1945 e kapërcejnë çdo lloj imagjinate kriminale.
Në një dokument të noterizuar të vitit 1945 tregohet se një grup grash të moshuara (ku në vend të firmës kanë vendosur gishtin) tri ditë pasi kish ndodhur masakra e 27 qershorit në Paramithi, shkuan dhe pastruan klasat e shkolles. Në mure të klasave kishin ngjitur tru me gjakun e të masakruarve!
Një grua e moshuar çame, Mevludja që banon në Laprakë, më tha: Zor e kam të rroj! Plagët dhembin kur ftohen. Dhe kujton tmerrin e ditës së martë: Ishte ditë e martë, 27 qershori 1944, ora 7. Xhelatët zervistë gratë I mbyllën në një shtëpi-burg, ndërsa u nxorën sytë vellezerve Abedin dhe Gani Bako. Motrave, Mekos dhe Hajrijes, u ra te fiket. I vetmi faj i vëllezërve Bako ishte se u mësonin gjuhën shqipe fëmijëve çamë fshehurazi nëpër shtëpira . Gratë ishin trimëresha. Dy zervistë i thanë nënë Ballkizes në burg “ ta vramë dhe Xhelalin”. Megjithë dhimbjen që e shpoi si thikë, u përgjigj : S’ka gjë, luftë është, edhe do vriten, por mos harroni se kam edhe tre të tjerë . A harrohet djegia me benzinë e Sanije Nurit . Apo therja e djalit të Fatime Pronjos, e cila paraqiti para Komisionit Hetimor Ndërkombëtar në Konispol, në vitin 1945, një tufë flokësh nga koka e djalit të saj, si dëshmi ? Komisioni u trondit.
Masakra sipas historianëve grekë
Planin grek për masakrat ndaj shqiptarëve të Çamërisë e pohojnë vetë historianët grekë. Autori grek Niko Zhango, në librin “Imperializmi Anglez” dhe “Lufta e popullit grek për liri”, botim i vitit 1985, Athinë, përkthyer dhe në anglisht, në faqet 257-58-59-60, kur flet për masakrat në Paramithi, shkruan: “Për tre ditë rresht 27-28-29 qershor 1944, Paramithinë e mbuloi një hije e zezë. Andartët, me pushkë në dorë, hynin në shtëpitë e shqiptaroçamëve dhe bënë atë që menduan dhe si deshën. Çfarë kishin çamët sende flori i dorëzuan të gjithë. Nuk është e mundur të jepet numri i saktë i shqiptaroçamëve të Paramithisë, që u ekzekutuan nga zervistët në grupe dhe veças, sepse në Paramithi kishin gjetur strehë dhe shqiptaroçamë të fshatrave përreth”.
Dhe autori ndihet në faj, pasi përfaqëson njerëzit e ndershëm grekë: “Nga sa munda të mbledh, mund të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë. Do të duhet të na vijë turp për të gjitha ato që nuk ngjajnë me krenarinë e popullit tonë dhe të krenohemi me “vepra trimërie”. Therrjet e grave dhe fëmijëve nuk përputhen me zemrën e madhe të popullit të Epirit”.
Niko Zhongo vazhdon duke përmendur çamë të masakruar dhe të vrarë, emër për emër, sikur të ishin njerëzit e tij: “U ekzekutuar 18 veta tek Përroi i Kariotit, 11 veta në Shën Panaja, 27 veta poshtë vendit ku u vranë nga gjermanët 49 grekë. U ekzekutuar të tjerë në shtëpitë e tyre, në rrugë e kudo që gjendeshin”. U eksekutua Hamdi Demi, me tre djemtë e tij. U ekzekutua Lik Pronja me Veli dhe Azem Pronjo. U ekzekutua Isuf Pronjo, Qazim Rexhepi. Salih Hafuzi me djemtë (Nuhu, Tati dhe nipi Haki Myftari). U ekzekutua Meko Pronjo, motra e Lihut, tëcilën e kryqëzuan me gozhda. Vranë Lypsarin (bari) Dautin, i cili s’ishte në gjendje për asgjë, veç të tregonte mungesën e tij mendore dhe rrobat copë e çikë.
Ekzekutuan Muftiun (Hasan Avdulla) me gruan dhe fëmijët. U ekzekutua Muharrem Ballati me birin, Brahon, me të shoqen dhe me djalin 12 vjeçar. U dogj me benzinë e shoqja e Rahmi Nurit, Sanie Nuri (Bollati). U ekzekutua Harun Iljazi 14 vjeç, Agako Bollati, Beqir Hyseni, Xhelal Bollati, me të birin Myzafer. U ekzekutua Luf Bollati, me të birin Fuatin 15 vjeç. U ekzekutua Qani Bollati me të birin 11 vjeç. U ekzekutua djali i Tahir Bilit 8 vjeç. U ekzekutua Rexho Berberi, me gruan dhe vajzat (8-10 vjeç). U ekzekutua Avdo Hima, Gani dhe Abedin Bako, Fejzo Bakiu, Rexhep dhe Vesel Breka.U ekzekutua nusja e Nuhut të Asim Dinos me vajzën dhe djemtë (Lutfi 13 vjeç, dhe Asim 10 vjeç) dhe dy fëmijtë e vajzës (3 dhe 1 vjeç) si dhe burri i vajzës Ahmet Beu (djali i Fuat Pronjos). U ekzekutua Omer Murati, Omer Merxhushi, vëllezërit Esat, Emin dhe Enever Elezin, Met Elezi, Haxhi Shehi dhe djali i Agako Beqo Sadikut (Nedimi 11 vjeç).
U therr si cjap në oborrin e shkollës, Malo Kekeci. U ekzekutuan Malo Salica, Avdulla Salica (17 vjeç), Hajri Kupi me shokun e tij Mustafanë, Kupin e Dem Beqirit, Maksut Beqirin me të shoqen etj etj.
Nga mania për të gjetur para dy andartë sa nuk u vranë njëri me tjetrin. Në shtëpinë burg të Sali Hafuzit vdiqën mbi 30 fëmijë nën 3 vjeç nga qumështi pluhur, ngaqë si sheqer përdornin xhamin e grirë shumë hollë. Asnjë masë nuk u muarr nga Dhespoti apo Mirarhio, apo autoritetet greke. (faqe 258-260). Shumica e të masakruarve dhe të vrarëve u bënë tek shkolla e Paramithisë (Dhimotiko Skolio) me armë të frohta, Pra kultura e lashtë greke u përdhos nga injoranti bashibuzuk, krimineli Zerva. Po të më dëgjojnë fëmijtë që mësojnë sot në atë shkollë, do të braktisin shkollën kur t’i marrin vesh këto masakra, do të mallkojnë veten që kanë mësuar në atë vend të dijes”.
Autori tjetër grek Jani Sharra, në librin “Istoria Periohis Igumeni 1500-1959”, Athinë 1985, përkthyer dhe anglisht, thotë: “Zënia e Paramithisë nga EDA-si, ishte një fat tragjik për Minoritetin shqiptar çam” (faqe 661). Në Mangëllëç filluan plaçkitjet në masë. Gjetën të paralizuar Qamilin dhe gruan e tij dhe i vranë.
Në Karbunarë gjithë sa çamë gjetën, u vranë dhe i hodhën nëpër kanale.Vranë një nënë me 7 fëmijë të vegjël.
Vranë tri vajza të Muharrem Agushit. Nusen e Hantos dhe Aishe Agushin. (faqe 270). Në Pargë shqiptaroçamët e pambrojtur u paraqitën tek anglezët, me fëmijët e tyre për t’u mbrojtur. Anglezët i dorëzuan tek zervistët, të cilët i vranë në kala me një skuadër pushkatarësh.
Në Vanër të Filatit një zervist më ka thënë se u vranë 56 çamë dhe kufomat e tyre u hodhën nga Ura e Naçit.(faqe 668-69). Në Grikohuar vranë Veli Mazen dhe Jaho Idrizin (faqe 632).
Po në librin “ Istoria tis periohis Igumenicias 1500 –1950“, Athinë 1986, Jani Sharra shkruan:
“ E vetmja gjë që u mbeti çamëve ishte që t’u kërkonin mëshirë njerëzve barbarë, të cilët si egërsira donin gjak dhe plaçkë . Hynin si zotër nëpër shtëpitë e tyre, dhunonin gra e vajza, vrisnin kë të donin . Krimet kapërcenin çdo kufi. Në Thesproti u shkelën të gjitha ligjet e njerëzimit dhe unë i përshkruaj ato histori që bënë kanibalët e kohës “ .
Autori grek Jani Sharra jep edhe dëshminë e një oficeri zervist.Në këtë dëshmi tregohet qarte se si Zerva dhe qeveria greke kishin përgatitur planin për zhdukjen e çamëve në tërësi, qoftë duke i vrarë, qoftë duke i dëbuar nga vendlindja e katërgjyshërve të tyre : “Ne bëmë planin tonë që më parë. Në fillim do të hynim në të gjithë Çamërinë me të mirë, pas disa ditësh nuk do të lenim dhe macet gjallë. Por trimat tanë nuk duruan dhe bënë atë që bënë.” (J. Sharra, “ Istoria tis periohis Igumenicias 1500 –1950″, Athinë 1986, fq. 660)
Gjithashtu Jani Sharra flet dhe për gjyqet farsë (si ai i Janinës 1946) që organizuan zervistët për të dënuar të gjithë çamët, pa përjashtim, si fajtorë.
“Me stabilizimin e shtetit, pas Çlirimit dhe me formimin e gjykatave reaksionare, të cilat gjykonin njerëz në bazë të të dhënave, muslimanët, u dënuan në mungesë si kriminelë dhe si spiunë dhe që të gjithë u dënuan me vdekje, me burgim të përjetshëm dhe me ndalimin e stërgjyshërve për t’u kthyer në vendin e stërgjyshërve të tyre si dhe gjithëpasurive të tyre”. (faqe 673).
Edhe Jani Sharra si Niko Zhango, si të kërkonte një lloj faljeje, shprehet:
“Sot pas kaq vjetësh nuk kemi të drejtë të mos zbulojmë disa të vërteta të pakundërshtueshme dhe, siç duam të dënojmë vrasjet dhe krimet e pushtuesit dhe disa keqbërësve, aq më shumë do të na duhet të dënojmë krimet dhe vrasjet e fuqive të ashtuqujtura të çlirimit si dhe keqbërjet e elementëve kristianë” (faqe 629).
Historiani Jani Sharra ka bindje të plotë për vërtetësinë e atyre ngjarjeve që përshkruan: “Këto ngjarje janë plotësisht të vërteta, të kryqëzuara dhe të pakundërshtueshme. Shumë nga këta autorë krimesh kanë vdekur prej kohësh. Të paktët që rrojnë do t’i kujtojnë dhe do të pendohen. Këto ngjarje ndodhën në sy të autoriteteve dhe me bekimin e tyre”.
(“Istoria Periohis Igumeni 1500-1959, faqe 632)
Jorgo Kallanxhi shkruan tek gazeta “Elefterotipia” e Korfuzit , datë 29.5.1945: “Dhe të gjitha këto ndodhën sipas porosisë së Politikës dhe Kishës Ortodokse Greke që krimineli dhe damkë, Napolon Zerva, i zbatoi me përpikmëri”.
Edhe autori tjetër grek Spiro Muselimi tregon për Masakrat e Zervës. Në librin e tij “Shëtitje historike në Thesproti”, Selanik 1976, shkruan:
“Për shkatërrimin që pësuan çamët nga andartët, nuk duhet të kenë asnjë ankim, ashtu si shtruan, fjetën”.(faqe 77).
Dëshmi për masakrat jep edhe historiani Dhimiter Mihalopullos në librin e tij “ I Çamidhes” :“Megjithatë u dëbuan me mijera çamë në Turqi . Frymëzuese dhe organizatore e këtij genocidi famëkeq ndaj shqiptarëve myslimanë ishte Kisha Orthodokse Greke. Nuk jam kundër të krishterëve grekë dhe kundër Krishtit, por disa të vërteta duhen thënë . Zervistët u turrën si egërsira tek çamët duke shkelur të gjitha parimet e Krishtit, i cili thoshte: “ Mos vrit,mos vidh, mos jep dëshmi të rreme”.
Të mos harrojmë që masakrat në Përroin e Selanit (Paramithi), i organizoi Mithropoliti i Thesprotisë, Neofiti. Pasi grekët vranë 72 burra, ky Mitropolit tha: “E kam për nder që vramë mbeturinat e fundit të Islamit në Greqi”.Kisha greke e filloi luftën kundër shqiptarëve myslimanë që pas vitit 1844.
Sipas historianit grek I. Kordhates,”Kapobandat greke pas vitit 1844 dhe në vazhdim, gjatë marrshimeve drejt krahinave me banorë të etnisë jogreke , por nga feja dhe kombësia inkujaroheshin me parrullën e njohur shovene : “Perpara me njerën dorë kryqin, me tjetrën thikën” (I.Kordhates, “Istoria tis enoteris eladhas”, Athinë 1985, f.132.)
Ndërsa për pjesëmarrjen e djemve çamë kundër okupatorit shkruan kronisti i N.Zervës, Mihal Miridhaqi, në librin “Agones tis filisi – Ethiqi Antistasi EDES-EOEA 1941-44”, Athine 1952 faqe 280.
“Më 22 dhjetor 1944 filloi mësymja e madhe e forcave EAM-ELLAS me skuadrat Epiriote dhe batalionin çam shqiptar, sulmuan forcat gjermane në vijën Camanda, Babur, Vertop.” “Ne raportet e ELLAS-sit dhe gjatë rrjedhjes së Kallamasë, ishin divizionet IX dhe një brigadë me shqiptarë çamë”. Po ky autor, ndoshta pa dashur, denoncon qeverinë greke: “Forcat e divizionit X-të kishin urdhër nga qeveria greke të pastronin Çamërinë nga çamët. Operacionet e pastrimit vëzhgoheshin nga përfaqësuesit e shtabit të Mesdheut pranë Zervës me togerin skocez Graham”. (Miridhaqi, “Agones tis filisi – Ethiqi Antistasi EDES-EOEA 1941-1944”, faqe 191)
Bashkëpunimi i Zervës, i anglezëve dhe gjermanëve në dëm të çamëve, duket qartë në shënimet e kronistit Miridhaqit: “Gjermanet filluan t’u mbledhin armët çamëve, që Zerva t’i gjente të çarmatosur. Me 11 gusht 1944 repartet EO-te EDAS-it spastruan krejt Çamërinë nga çamët”. (Miridhaqi, “Agones tis filisi – Ethiqi Antistasi EDES-EOEA 1941-1944”, fq.193-94 .
Kriminelët antishqiptarë nderohen si heronj në Greqi
Dhe të mendosh që Gjykatat ndërkombëtare, megjithëse kanë kaluar 76 vjet, nuk kanë thirrur ende asnjë kriminel zervist, që ka lyer duart me gjak, duke vrarë fëmijë, pleq dhe gra të pafajshme çame.
Gjenerali famëkeq Napoleon Zerva nderohet si hero në Greqi, ndërsa pasuesit e kuislingëve grekë, në poste ministarsh, kryeministrash e presidentësh, vazhdojnë avazin e vjetër se “çamët ishin bashkëpunëtorë me fashizmin”! Sot zervistëve u ngrenë buste, ngrihen varreza për ushtarët pushtues grekë, ndërsa çamët nuk lejohen të vënë një tufë me lule në varret e të parëve të tyre.
Zyrtarët e sotëm grekë nuk e kanë kurajon të kërkojnë falje për krimet dhe të fshijnë njollën e zezë të spastrimit etnik, duke u rikthyer çamëve të gjitha të drejtat njerëzore dhe pronësore, duke pranuar riatdhesimn e tyre. Madje të kërkojnë dhe falje për krimet e paraardhësve. Falja është çlirim.
Shtetet me të vërtetë demokratike e njohin faljen. Gjermania Naziste, vrau me miliona njerëz, me miliona gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Por Gjermania e sotme e pati kurajon dhe mori përsipër t’i kërkojë falje botës për krimet naziste, pavarësisht se gjermanët e sotëm nuk ishin athere. Willi Brand (Ish-kancelari i GjermanisëPerëndimore ) në vitin 1970 në Varshavë, ra në gjunjë për 3 sekonda përpara memorialit të Holokaustit dhe, pasi u ngrit, tha : Ne nuk ishim atëherë kur bashkëatdhetarët tanë, nazistët gjermanë ,vranë me miliona njerëz të pafajshëm, por si gjerman ndiej përgjegjësi . Na falni! Dhe bota u çudit.
E mbani mend se si Ambasadori gjerman në Shqipëri Hofman, kur shkoi për njëpërkujtimore në Borovë, për Masakrën që bënë nazistët kundër popullsisë së pafajshme shqiptare, tha: “Unë nuk kam qenë atëherë, kur bashkëkombasit e mi vranë me dhjetëra shqiptarë të pafajshëm, por si gjerman kam përgjegjësi. Kërkoj falje.”
Çështja çame qëndron e hapur
Nëqoftëse Greqia do të ishte një vend demokratik i vërtetë, ashtu siç pretendon dhe siç njihet formalisht si firmëtare e të gjitha Konventave Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, do ta pranonte publikisht jo vetëm turpin për mosdënimin e krimeve makabre në Çamëri, por edhe për vonesën e dënimit.
Çështja çame qëndron e hapur, deri sa të gjejë zgjidhjen e duhur, ne bazë të ligjeve për të Drejtat e Njeriut, të cilat kanë fuqi prapavepruese.
Ne përfaqësuesit e komunitetit çam dhe forca politike që na përfaqëson, PDIU, nuk kemi kërkuar kurrë që kjo çështje të zgjidhet me dhunë, nuk kemi kërkuar as rivendikim kufijsh. Siç thotë Albert Einstein “ Problemet nuk mund të zgjidhen me të njëjtin mentalitet që ato u krijuan, me kalimin e kohës duan një mentalitet të ri “. Kemi një armë të fortë në dorë, ligjet ndërkombëtare që nxori Evropa pas Luftës së Dytë Botërore si dhe mbështetjen te fryma e Konventave Ndërkombëtare, që sanksionoi OKB-ja . Të gjitha këto Ligje e Konventa mbrojnë të drejtat e njeriut dhe veçanërisht të drejtën e pronës.Por Greqia vazhdon tëdëshmojë para botës së qytetëruar se si i shkel konventat ndërkombëtare, të nënshkruara nga vetë ajo.
Greqia vazhdon të shkelë sot “Konventën mbi Mos parashkrimin e Krimeve të Luftës dhe Krimeve Kundër Njerëzimit”, hyrë në fuqi më 11 nëntor 1970.
Kjo Konventë rikujton rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, datë 13 shkurt 1946 dhe 31 tetor 1947, në lidhje me ekstradimin dhe ndëshkimin e kriminelëve të luftës dhe Rezolutën 95 të 11 dhjetorit 1946, që konfirmon parimet e së Drejtës Ndërkombëtare, të njohura nga Statuti i Gjykatës Ushtarake Ndërkombëtare të Nurembergut dhe nga vendimi i atij gjyqi, si dhe Rezolutat e dhjetorit 1966, nëpërmjet të cilave Asambleja e Përgjithshme ka dënuar shprehimisht si krime ndaj njerëzimit shkeljen e të drejtave ekonomike dhe politike të popullsive autoktone, siç është popullsia e martirizuar e Çamërisë, ku pjesës myslimane iu grabitën pronat, kurse popullsisë së krishtere i mohohet sot identiteti kombëtar, shkolla dhe gjuha amtare.
Në neni 1 të kësaj Konvente, theksohet se:”… krimet e luftës janë të pa para shkrueshme, cilado qoftë data kur janë kryer”.
Gjithashtu, në pikën b të nenit 1, dënohen pa kufi kohor: “Dëbimi nëpërmjet një sulmi të armatosur ose pushtimit dhe aktet çnjerëzore …, si dhe krimi i gjenocidit, ashtu siç është përcaktuar në Konventën e 1948, për parandalimin dhe ndjekjen e krimit të gjenocidit, qoftë dhe kur këto akte nuk përbëjnë shkelje të së drejtës së brendshme të vendit ku janë kryer”.
Për cilindo nga krimet e kryera në Çamëri, dispozitat e kësaj Konvente kërkojnë të vihen në zbatim edhe “ndaj përfaqësuesve të autoritetit të shtetit që tolerojnë kryerjen e tij”, theksohet në nenin 2, pra edhe qeveria aktuale ka përgjegjësi për çfarëdo qëndrimi zvarritës në dhënien e të drejtave të mohuara popullsisë çame në ditët e sotme.
Në nenin 4, Konventa e detyron Greqinë “të marrë të gjitha masat legjislative e të tjera që do të jenë të nevojshme, për të siguruar mos parashkrimin e krimeve të përmendura në nenet 1 dhe 2 …, si për sa u përket ndjekjeve, ashtu edhe për sa i përket dënimit, atje ku mund të ekzistojë një parashkrim, me ligj apo me një mënyrë tjetër, ai do të hiqet”.
Në kundërshtim të plotë me Konventën e mos parashkrimit të Krimeve të Luftës, shteti grek nuk ka nënshkruar edhe Protokollin Nr.4 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Kjo është bërë qëllimisht për të mbajtur të pushtuar Çamërinë, në kuadrin e strategjisë greke të “Megali Idesë”, të parit traktat nacionalist antinjerëzor në historinë e Evropës. Në pikën 1 të nenit 3 të këtij protokolli, theksohet: “Askush nuk mund të dëbohet me anë të një mase individuale ose kolektive nga territori i Shtetit, shtetas i të cilit ai është” dhe në pikën 2 të të njëjtit nen nënvizohet: “Askujt nuk mund t’i hiqet e drejta për të hyrë në territorin e Shtetit, shtetas i të cilit ai është”.
Nga ana tjetër, Greqia si anëtare e Këshillit të Evropës e ka ratifikuar Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut e, megjithatë, ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke i akuzuar pa të drejtë si bashkëpunëtorë të nazifashizmit.
Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj Konvente thuhet: “Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit, prezantohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”.
Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.
Të garantohet rikthimi i popullsisë çame
Pra, ka ardhur koha që pas këtij spastrimi etnik me dhunë të Çamërisë, Greqia të kërkojë falje publike për 2900 viktimat e pafajshme të masakruara, për 40.000 vetët e dëbuar me dhunë, për 68 fshatrat e qytetet e grabitura e të djegura, të gjitha objektet e kultit të rrënuara dhe 60 vjet shfrytëzim të padrejtë të pasurive të tyre. Të marrë të gjitha masat për të siguruar kthimin e çamëve në vendin e tyre në Çamëri, me dinjitet, sipas të gjitha Konventave Ndërkombëtare që ajo vetë i ka ratifikuar.
Shteti shqiptar, krahas punës me fqinjët jugor, të vërë në dijeni OKB-në dhe gjithë organizmat e interesuara evropiane dhe amerikanë, se si “i zbaton” Greqia konventat dhe kartat ndërkombëtare. Shteti dhe qeveritë shqiptare duhet të kërkojnë me ngulm heqjen e Ligjit absurd të Luftës, përpara se të ulen në negociata për detin apo çështje të tjera.Ai mbahet sot si gozhda e Nastradinit për të bllokuar pronat e shqiptarëve në Greqi, por duhet sqaruar se nuk mund të bllokojë pronat e çamëve.Në kohën kur është dekretuar Ligji i Luftës me Shqipërinë, çamët ishin shtetas grekë dhe ky ligj s’kishte të bënte fare me ta.