Presidenti Ilir Meta ka nisur vizitën e parë zyrtare të tij si president i Republikës së Shqipërisë drejt Italisë.
Në një vizit dy ditore Meta u prit nga homologu i tij italian Sergio Mattarella në praninë e Ministrit të Jashtëm të Italisë, Angelino Alfano.
Dy homologët kanë vlerësuar marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve e dy popujve dhe shprehën mendimin se këto marrëdhënie duhet të të zgjerohen edhe më tej, veçanërisht në fushat e bashkëpunimit ekonomik e tregtar.
Të dy presidentët ndanë mendimin se zbatimi në kohë dhe me sukses i reformës në drejtësi do të ndikojë në luftën efikase ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe do të afrojë më shpejt Shqipërinë me BE-në.
Presidenti Meta i kushtoi rëndësi të veçantë çështjes për arritjen e marrëveshjes me autoritetet italiane në fushën e sigurimeve shoqërore për shqiptarët që jetojnë në Itali, si dhe afirmimit të vlerave dhe kontributeve të tyre në rritje në jetën ekonomike, shoqërore e politike italiane.
Në këtë kuadër të dy Presidentët vendosën të zhvillojnë së afërmi një vizitë të përbashkët në një nga zonat e komunitetit arbëresh.