Një incident ka ndodhur ditën e sotme në sallën brenda ambienteve të GJKKO-së, ku gjatë seacës gjyqësore të akuzuarit për vrasjen e Renis Dobrës janë konfliktuar fizikisht. Sherri ka ndodhur mes të pandehurit Petrit Çakraj dhe vëllezërve Aleksandër, Kristi dhe Fatjon Bushgjokaj.
Ata kanë dhunuar njëri-tjetrin ndërsa ndodheshin në kafazin e xhamit, ndërsa është dashur ndërhyrja e policisë për t’i ndarë. Ata akuzohen për për vrasjen dhe hedhjen në lumë të 23-vjeçarit Renis Dobra.
Ende nuk dihen shkaqet e zënkës së tyre, ndërsa seanca ka qenë pa praninë e mediave.
Si ndodhi krimi:
23-vjeçari nga Dibra, Renis Dobra u rrëmbye dhe u vra me litar mbrëmjen e 8 korrikut, ndërsa trupi i tij u gjet në liqenin e Shkopetit.
Vrasja e 23-vjeçarit u zbardh më 16 Korrik, ku u vendosën në pranga 2 prej autorëve të dyshuar, të cilët dhanë dëshmi kontradiktore para hetuesve, por janë kamerat e sigurisë në bizneset e aksit Burrel-Tiranë që i kanë tradhtuar.
E kaluara e errët në Gjermani, besohet të jetë bërë shkak i vrasjes së 23-vjeçarit Renis Dobra në Shqipëri. Policia kriminale e Dibrës, ka zbuluar se Dobra ishte dënuar me disa vite burgim nga Drejtësia Gjermane për shpërndarje të lëndëve narkotike.
Të tre vëllezërit Aleksandër, Fatjon dhe Kristi Bushgjokaj, personazhe të njohur për policinë, dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë organizuar rrëmbimin dhe vrasjen e 23-vjeçarit Dobra, të cilin pasi e vranë me litar e hodhën bashkë me makinën e tij buzë liqenit të Shkopetit. Dëshmitë dhe pamjet e kamerave të sigurisë çuan grupin hetimor në drejtim të tre vëllezërve nga Tropoja.
Eliminimi i 23-vjeçarit është realizuar pas një plani të mirëmenduar. Për të kryer vrasjen, vëllezërit Bushgjokaj dhe Petrit Çakri kanë marrë disa makina me qira, në Rinas dhe Yzberisht, të ndryshme çdo ditë për të paktën 72 orë me radhë kur kanë survejuar lëvizjet e Dobrës. Përmes kësaj skeme shpresonin të ishin të vështirë për t’u zbuluar nga autoritetet. Madje, makinave kanë tentuar t’u heqin edhe GPS-in, por nuk kanë mundur. Pasi policia identifikoi auromjetet përmes pamjeve, kuptoi se ishin marrë me qira, dhe më pas, përmes gjurmimit të GPS-së u dokumentuan me prova të gjithë lëvizjet kriminale për eliminimin e 23-vjeçarit. Vëllai më i vogël, Aleksandër Bushgjokaj, dyshohet se në krim ka bashkëpunuar për nxjerrjen për në Kosovë të vëllait tjetër, po me makinë të marrë me qira.










