Përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore në Shqipëri, znj. Maryam Salim, në intervistën për “Monitor” shprehet se kreditë e konferencës së donatorëve kthehen në borxh pas nisjes së zbatimit. Përfaqësuesja e BB thekson se duhet bërë kujdes me përzgjedhjen e projekteve që do të zbatohen. Sipas saj nëse zgjidhet projekti i duhur, ndikimi te rritja ekonomike dhe borxhi publik do të jetë pozitiv.
Shefja e bankës Botërore vlerëson se transparenca në çdo fazë të procesit për rindërtimin e zonave të dëmtuara, do të rrisë besueshmërinë. Zonja Salim për monitorimin e fondeve rekomandoi që të dhënat të publikohen online.
Pas ngjarjes së tërmetit, përfaqësuesja e BB shprehet se është e domosdoshme të kryhet procesi diagnostikues sesi qeveria e financon rrezikun nga katastrofat, dhe si mund të veprohet për një qasje më të plotë të problemit.
Shqipëria prezantoi në Bruksel faturën prej 1 miliardë euro për rimbëkëmbjen e zonave të prekura nga tërmeti si do ta vlerësoni ecurinë e konferencës së donatorëve?
Konferenca ishte një sukses i qartë. Komuniteti ndërkombëtar shfaqi solidaritetin e tij për popullin e Shqipërisë përmes pranisë së tyre në Bruksel, angazhimeve të bëra dhe deklaratave të shumta mbështetëse.
Nga 1.15 miliardë euro fonde të mbledhura, sipas deklaratave të zyrtarëve, 750 milionë euro janë kredi e butë. Cilat do të jenë efektet në borxhin publik, po te rritja ekonomike?
Kreditë e ofruara për qeverinë shqiptare rritin mundësinë e përdorimit të burimeve alternative më të lira të financimit, nëse qeveria dëshiron të zëvendësojë format e tjera të huamarrjes nga tregu i brendshëm ose i huaj me këto kredi të buta. Vendimi për të marrë hua në këtë formë gjithashtu do të varet nga strategjia e vendit për menaxhimin e borxhit, kështu që rreziqet e lidhura siç është rreziku i këmbimit valutor.
Zotimet e donatorëve në formën e kredive do të bëhen pjesë e borxhit kur Qeveria pranon të marrë hua për të zbatuar projekte specifike, të financuara nga donatorët dhe fillon zbatimin e këtyre projekteve. Nëse këto projekte zgjidhen me kujdes për të përmirësuar stokun e kapitalit prodhues që përdor ekonomia, këto do të kontribuojnë në rritjen ekonomike dhe në këtë mënyrë do të përmirësojnë kapacitetin e shërbimit të borxhit të vendit.
Banka Botërore në konferencën e donatorëve u angazhua me një hua prej 160 mln euro për strehimin. Si do të realizohet ky projekt?
Së pari, më lejoni të sqaroj që Banka Botërore u zotua me 106 milion euro kredi. Kjo përfshin deri në 85 milion euro në kredi të Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (BNRZH) e njohur si Banka Botërore për sektorin e strehimit. Banka Botërore dhe Qeveria e Shqipërisë kanë rënë dakord tashmë që 6 milion euro nga një projekt aktual,
Projekti i Modernizimit të Sektorit të Shëndetësisë të kalojë për të mbështetur punën për rindërtimin e tre spitaleve. 15 milion euro të tjera hua shtesë mund të vihen në dispozicion përmes të njëjtit projekt për të mbështetur nevojat e mëtejshme të rindërtimit në sektorin e shëndetësisë, përfshirë blerjen e pajisjeve dhe mobileve të nevojshme për spitalet e dëmtuara. Kreditë e reja janë subjekt i kërkesës së qeverisë dhe miratimit të Bordit të Bankës Botërore.
Nëse Qeveria do të kërkojë mbështetjen tonë për rindërtimin e banesave, Banka Botërore do të përgatisë projektin në kushte specifike, në përgjigje te një fatkeqësie natyrore. Kjo do t’i lejonte Bankës Botërore të përgatisë dhe aprovojë projektin më shpejt, pa lënë pas dore shqyrtimin e aspekteve mjedisore, sociale, financiare dhe të qeverisjes.
Duke pasur parasysh urgjencën dhe nevojat e qytetarëve të prekur, puna që na pret nuk mund të jetë biznes si zakonisht. Sikurse Banka Botërore do të përpiqet të lëvizë me shpejt, ashtu edhe homologët e qeverisë duhet të lëvizin po aq shpejt. Në kushtet kur edhe vendet e tjera apo institucionet financiare ndërkombëtare kanë premtuar mbështetje për rindërtimin e banesave, koordinimi, i udhëhequr nga Qeveria do të jetë shumë i rëndësishëm.
Një projekt i tillë do të bazohet në mësimet e nxjerra nga Banka Botërore në investimet prej mbi 2 miliardë dollarëve për rindërtimin e banesave pas katastrofës gjatë dekadës së fundit në vende të ndryshme të botës.
Janë tri grupe parimesh që mund të ndihmojnë në lehtësimin e rindërtimit të suksesshëm, të cilat përshkruhen edhe në Vlerësimin e Nevojave të Pastermetit në Shqipëri të njohur si PDNA:
-Burimet e kufizuara publike duhet t’i japin përparësi atyre që kanë më shumë nevojë, duke shmangur diskriminim dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë çështjeve gjinore dhe duke synuar më të prekurit.
-Rindërtimi i banesës duhet të udhëhiqet nga pronari, përmes mekanizmave efektivë që sigurojnë integrimin e shqetësimeve të pronarëve të shtëpive.
-Procesi i rindërtimi duhet të jetë transparent dhe me përgjegjshmëri të plotë.
-Rindërtimi duhet të sigurojë që ndërtimet e reja të jenë më të mira se te vjetrat.
Për të zbatuar këto parime, aktivitetet e rindërtimit duhet të kryhen në mënyrë uniforme, pa marrë parasysh burimin e financimit. Burimet publike duhet të shfrytëzohen për të rritur dhe me financimet private, duke iu përmbajtur standardeve të barazisë dhe cilësisë.
Ju deklaruat në punimet e konferencës së donatorëve, se Banka Botërore aktualisht po jep asistencë teknike për ligjin e fatkeqësive natyrore dhe rimëkëmbjen. Çfarë po i sugjeroni Shqipërisë në këtë ligj?
Shqipëria është shumë e ndjeshme ndaj fatkeqësive natyrore. Megjithatë, mbulimi i sigurimeve të rreziqeve natyrore nga ana e pronarëve të shtëpive apo bizneseve të vogla dhe të mesme është shumë i ulët. Kjo do të thotë që në rast të një fatkeqësie me përmasa të mëdha pronarët e tyre shpesh kthejnë sytë për ndihmë nga qeveria.
Sigurimi i mbrojtjes financiare të pronarëve të shtëpive nga fatkeqësitë natyrore bëhet edhe më i rëndësishëm për shkak të aftësisë së kufizuar financiare të qeverisë për t’iu përgjigjur katastrofave natyrore. Në këtë kontekst, Banka Botërore ka mbështetur autoritetet përgjegjëse për të hartuar një ligj mbi Sigurimin e Detyrueshëm të Tërmetit për ndërtesat e banimit, që synon të prezantojë një program të shëndoshë kombëtar të sigurimit të katastrofave në Shqipëri, bazuar edhe në përvojat e suksesshme të vendeve të tjera (p.sh. Turqia, Rumania) ku programe të ngjashme sigurimesh u zbatuan me asistencë teknike dhe financiare nga Banka Botërore.
Aktualisht i takon autoriteteve të avancojnë procesin për ligjin. Banka Botërore është e gatshme të sigurojë mbështetje të mëtejshme për finalizimin e saj dhe më vonë për zbatimin e programit. Dua të shtoj se Banka Botërore po kryen paralelisht edhe punë diagnostikuese sesi qeveria e financon rrezikun nga katastrofat dhe çfarë mund të bëhet për një qasje më të plotë të problemit.
Kjo punë ka filluar para tërmetit të nëntorit dhe merr në konsideratë të gjitha llojet e rreziqeve kryesore natyrore. Por natyrisht, tërmeti i nëntorit do të marrë gjithashtu një vëmendje të veçantë. Diagnostifikimi do të bëjë një përmbledhje të ndikimit të fatkeqësive natyrore, do të shqyrtojë politikat aktuale dhe mekanizmat për mbrojtje financiare nga katastrofat, do të identifikojë boshllëqet e financimit dhe sfidat për t’i adresuar bazuar në aftësitë financiare të Shqipërisë.
Kjo do t’i lejojë qeverisë të vlerësojë nivelin e nevojshëm të mbrojtjes financiare nga katastrofat dhe të përcaktojë përparësitë e politikave për zbatimin e reformave dhe futjen e instrumenteve të reja të financimit të rreziqeve për të rritur aftësinë financiare të përballjes. Tërmeti i vitit 2019 ka krijuar një moment që sugjeron ndryshime, duke eksploruar opsionet e mundshme për të përmirësuar aftësinë fiskale ndaj katastrofave, gjë që do ta ofrojë puna diagnostikuese që po kryejmë.
Banka Botërore asistoi në hartimin e raportit përfundimtar për llogaritjen e dëmeve pas tërmetit. A do të asistoni edhe në monitorimin e përdorimit të fondeve për rindërtim, dhe çfarë do t’i rekomandonit qeverisë në përdorimin e tyre?
Menaxhimi i fondit të rindërtimit dhe monitorimi i tij janë përgjegjësi e qeverisë. Megjithatë, nëse qeveria kërkon ndihmën tonë, Banka Botërore do të ishte e gatshme të ofronte shembuj të praktikave më të mira dhe këshilla si të shmangen gabimet.
Çdo mbështetje e financimit të dhënë nga Banka do të përfshijë procedurat për të siguruar që fondet të përdoren për qëllimet e synuara. Banka Botërore ka një sërë mekanizmash dhe procesesh për të siguruar që flukset e fondeve të shkojnë tek ata që kanë më shumë nevojë. Transparenca në çdo fazë të procesit është thelbësore për të rritur besueshmërinë. Monitorimi i treguesve të progresit, afatet kohore dhe flukset e të gjitha fondeve duhet të publikohen rregullisht online.
/Monitor/