Ditën e djeshme opinioni publik në Kosovë u trondit nga një ngjarje e rëndë ku 5 persona përdhunuan një 11-vjheçare. Për këtë rast ka pasur reagime të ashpra nga organizatat dhe institucionet kosovare, ku menjëherë pas ngjarjes dha dorëheqje edhe drejtori i deritashëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.
Dorëheqja e tij, sipas burimeve të Demokracia.com, vjen pas dështimit të trajtimit të një rasti tjetër të hapur për të njëjtën të mitur nga Policia e Kosovës, ngase ajo dyshohet se edhe më parë ishte viktimë e trafikimit me qenie njerëzore.
“Një rasti tjetër me të njëjtën të mitur po hetohej edhe më parë nga Policia e Kosovës, konkretisht nga Njësia për Antitrafikim. Policia deri më tani nuk kishte ndërmarrë veprime”, ka thënë një burim i mirëinformuar për Demokracia.com.
Po ashtu, Demokracia.com ka kërkuar nga Policia informacione nëse ka pasur raste të hapura më herët për të miturën 11-vjeçare, tani viktimë e 5 dhunuesve, por Policia nuk ka dhënë përgjigje nëse kishte ndonjë rast, ku ajo ishte trajtuar më herët.
Policia në një përgjigje shumë përgjithësues ka thënë se ata i trajtojnë me seriozitet të lartë të gjitha rastet, duke përfshirë edhe rastet e dhunës seksuale.
“Ndër vite policia ka realizuar edhe fushata vetëdijësuese me qëllim të inkurajimit të viktimave për të raportuar të gjitha rastet veçanërisht rastet e ndjeshme si dhuna seksuale, dhuna në familje etj., e që përveç punëve operacionale gjithashtu objektiv i Policisë ka qenë parandalimi dhe reduktimi i rasteve të tilla”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Policia e Kosovës ka dhënë edhe statistika të rasteve të dhunimeve.
Në të dhënat e përgjithshme të të gjitha grupmoshave për rastet e veprës “Dhunim”, për vitin 2021 dhe periudhën krahasimore janar-korrik 2021-2022, vërehet se ka rënie të theksuar të rasteve të kësaj natyre.
Sipas Policisë, në vitin 2021 janë raportuar 102 raste të dhunimeve.
Kurse, këtë vit, Policia ka thënë se janë raportuar 41 raste të dhunimit.
Policia e Kosovës deri më tani ka arrestuar pesë personat e dyshuar për rastin e të miturës 11 vjeçare.
Katër nga të dyshuarit janë arrestuar mbrëmë, kurse i dyshuari i pestë është kapur ditën e sotme.
“Si rezultat i punës, angazhimeve dhe hetimeve intensive nga Policia e Kosovës, tani edhe personi i pestë i dyshuar, i cili ka qenë në kërkim policor është duke u intervistuar nga hetimet rajonale të DRP Prishtinë. Të gjitha veprimet e mëtejme policore lidhur me të dyshuarin, i cili dyshohet se është i përfshirë në rastin “dhunim” të ndodhur në Prishtinë, do të ndërmerren në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë”, ka njoftuar Policia e Kosovës.