Nga Rreze Abdullahu
Dy ditë para Vitit të Ri, më kontaktoi një mike që e njoh nga Facebook-u, e cila jeton në Suedi. Më pyeti nëse njoh ndonjë familje që ka nevojë me e ndihmu me ushqimet festive të natës së 31 Dhjetorit. Ngurrova pak, por kur më tregoi se kishte pyetur edhe shoqërinë e saj por i kishin thënë se nuk njihnin askënd, atëherë e mora unë përsipër dhe folëm e bëmë planin se si me ndihmu, me çka dhe kënd. Vendosëm për dy familje, pikërisht sepse unë i njihja dy vëllezër që mund të kishin nevojë.
Bleva gjëra festive kryesisht, pak ushqime të zakonshme, dhe disa ushqime më “luksoze”, që ata s’mund t’i kishin pa asnjëherë. Me nderin e mikes sime, unë po ndihesha mirë dhe mendova se sa egoist është njeriu: me u ndje mirë mbi fatkeqësinë e tjetrit?!
Sidoqoftë, rrugës me veturë u ndala me pyet për shtëpinë e vëllezërve, dhe rastisa në disa fëmijë. Njëri nga ata, ishte fëmija tek shtepia e të cilit po shkonim. E mora në veturë, dhe duke u nisë, dëgjova zërat e fëmijëve që bërtisnin:
– Ndihma, ndihma, ndihma…
Jo, u thashë, nuk janë ndihma, janë dhurata për vit të ri. E çka s’më sillej në mend derisa mbërrimë tek shtëpia; s’mund të hiqja për asnjë moment syte e mi prej syve të djalit të vogel, që kushedi si do të arrijë që në jeta ta përballojë stigmatizimin, etiketimin, mjerimin e pa faj.
Por, për një moment shkëndija shprese të shkëlqejnë në sy: ai dhe motra e tij sonte kanë me i hanger çokollatat që kurrë s’i kanë pa.
I zbraz ushqimet nga vetura, ua bej të qartë se janë veç dhurata, se nje shoqe imja ka pasë qejf me u dërgu dhurata për vitin e ri, u kërkoj falje për pengesen, u uroj vitin e ri, dhe me krytë poshtë për ndjenjën e lumturisë, nisem e trishtuar në një botë tjetër.