Biznesmeni Fiqiri Pali u gjet me makinën plot me lekë dhe valuta duke blerë vota për PS-në në Maqellarë të Dibrës, më 9 maj të vitit të kaluar.
Pas bllokimit të mjetit Mercedes MayBach me targë AC 009 EP, Policia ia kaloi emrin e tij SPAK-ut. Qysh atëherë nuk kemi dëgjuar më për dosjen e Palit.
Por pyetja na mbeti si gozhdë: Çfarë interesi kishte biznesmeni të merrej me veprime të tilla?
Fiqiri Pali nga Dibra, me selinë e biznesit në Kamëz është themelues i kompanisë “Sireta 2F” shpk.

Ai është “ujk” i tenderave. I dënuar më herët nga gjykata pjesë e një një dosje prokurimi, Pali mbetet operatori veteran i sektorit më të koruptuar.
Pak para zgjedhjeve të vitit të kaluar kompania e tij ishte dënuar nga Agjencia e Prokurimit Publik me përjashtim nga tenderat për një periudhë 1 vit e gjysmë.

Ky është dokumenti me vendimin e APP për kompaninë “Sireta 2F”. “Operatori ekonomik “Sireta 2F” shpk përjashtohet – 1 vit e 5 muaj e 2 ditë”, shkruhet në vendimin e e APP, të publikuar më 10 mars 2025. Dënimi përfshin periudhën duke filluar nga data 3 mars 2025 deri në 5 gusht 2026. Kompania ishte kapur në mashtrim me të dhënat e tenderëve.
Për të shmangur dënimin dhe për të vazhduar punën me tenderat, Pali krijon me nxitim një kompani tjetër. “EMEA CONSTRUCTION” shpk u regjistrua në Qendrën Kombëtare të Biznesit më 25 Qershor 2025.

Për të hutuar Tatimorët, pas dy muajsh, Fiqiri Pali do t’ia ndryshonte disi emrin kompanisë, duke i shtuar një vizë: Nga “EMEA CONSTRUCTION” u bë “EM-EA CONSTRUCTION”. Ndryshime edhe në objektin e veprimtarisë, me qëllim që të t’i përshtatej ternderave që synonte.
Por Tatimet i ishin qepur nga pas. Më 30 dhjetor 2025, Përmbarimi i bllokon kompaninë për shkak të detyrimeve të papaguara.
Ndërkaq, këmbëngulja e Fiqiri Palit do të sillte rezultate. Me këtë kompani të re do të merrte një tender të dyshimtë. Dokumentet janë firmosur nga “Beu Belshit’ siç e quajnë shumë qytetarë kryetarin me shumë mandate të Bashkisë Belsh, Arif Tafani.
Ky është një projekt që u mbivendoset dy të tjerëve, të kryer në këtë zonë nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit (FSHZH). Para dy vjetësh përfundoi projekti “Dumrea Eco Park” në Belsh me paratë e FSHZH. Një strukturë hoteliere me 9 kioska druri me pamje nga liqeni i Marinës, një nga 84 liqenet karstikë.
Këto kioska të vendosura në 2024, u quajtën “Dumrea Eco Park”. Ndërsa në gusht 2025, FSHZH zhvilloi një tender për zbatimin e projektit për 8 zip-line mbi liqene, pyje e qytete, si dhe të disa shtigjesh kalimi. Pjesë e projektit me vlerë 1.66 milionë euro ishte edhe Belshi.
Me gjatësi 724 metra, do të jetë zip line mbi liqenin e Belshit, dhe do të jetë vetëm 13.6 metra mbi nivelin e tokës. Vijon udhëtimi mbi kavo me gjatësi 644 metra nga Eco-Park Dumrea në Belsh, që përfundon në anën tjetër të liqenit të Greganit.

Koha kaloi dhe zip-linet nuk po ndërtohen akoma. Meqenëse turistët nuk po vijnë nga ajri, duke rrëshqitur me kavo, thirret në ndihmë “Beu” të hapë një shteg.
Bëhet fjalë për tenderin e Bashkisë Belsh me objekt “Krijimi i shtegut turistik “Liqeni i Degës – Liqeni i Çestijes – Liqeni Merhojës dhe Kompleksi Dumrea Eco Park në Marinëz”. Fondi Limit i caktuar për projektin është mbi 161 milionë lekë. Janë paratë e bashkisë dhe të FSHZH.

Në tenderin e mbajtur më 9 janar 2026 morën pjesë 16 operatorë ekonomikë, ku 9 prej tyre u skualifkuan menjëherë.
Mes tyre ishin edhe ofertat më të ulëta se sa ajo fituese. Siç mund të shihet ne këtë dokument, propozimet e disa kompanive janë deri në 10 milionë lekë më të lira.
“Beu” e ka pasur të vështirë t’ia japë menjëherë kontratën Fiqiri Palit. Jo vetëm që kishin shfaqur interes disa kompani nga Elbasani me lidhje të forta politike, por Fiqiri Pali nuk plotësonte asnjë kriter të tenderit. Kompania e tij e re nuk kishte punë të ngjashme në portofol, po ashtu i mungojnë bilancet.
Kështu, më 30 janar 2026, kryetari bashkisë vendosi t’ia japë tenderin firmës “Vëllezërit Hysa” shpk.
Edhe kështu, tenderi ishte me shkelje, prandaj Open Data Albania e ka valëvitur një “Flamur të kuq”, duke alarmuar për riskun e korrupsionit.
Këtu nis pjesa e dytë e planit për marrjen e tenderit. Tashmë është bërë e metodë pune, që kryebashkiakët dhe drejtorët kur ndjejnë rrezik, e ndajnë me Komisionin e Prokurimit Publik (KPP) vendimmarrjen mbi prokurimet. Në këtë mënyrë shmanget përgjëgjësia direkte ligjore.
Nga ana tjetër, Fiqiri Pali i bën magji KPP-së. Në datën 9 shkurt 2026, kompania e Palit ankimoi vendimin e bashkisë duke kërkuar shfuqizimin e vendimit për skualifikimin.

Me një shpejtësi të jashtëzakonshme, brenda një jave, KPP vendos ta pezullojë tenderin dhe urdhëron bashkinë “të rivlerësojë” ofertën e kompanisë “EM-EA Construction” shpk.
Pa e zgjatur shumë, “Beu” i Belshit e kthen përmbys vendimin dhe ia jep fitoren kompanisë së Fiqiri Palit. Pasi nënkryetari i KPP, Fiorent Zguro, bindet se Pali është “rivlerësuar”, më 2 mars 2026, jep dritën jeshile që tenderi të vijojë me hapat e tjerë.
Dhe më 24 mars 2026, Arif Tafani ka njoftuar Fiqiri Palin që të paraqitet për të nëshkruar kontratën për hapjen e “shtegut turistik”.
Fiqiri Pali njihet për faktin që është dënuar më parë për ryshfet dhe falsifikim dokumentesh. Pali u arrestua dhe u dënua në vitin 2008, si pjesë e një skeme korrupsioni, ku vidheshin paratë publike me tenderë abuzivë. Skema funksiononte me disa institucione, por policia dhe prokuroria dokumentoi një aferë me Ministrinë e Punës dhe Shanseve të Barabarta. Fiqiri Pali, në bashkëpunim me Llambi Tarka, u akuzuan në atë kohë se korruptuan zyrtarin e lartë të Ministrisë së Punës dhe Shanseve të Barabarta, Spartak Gjini. Ata paracaktuan tenderin e rikonstruksionit të ministrisë duke ndarë fitimet bashkë.
Pali u dënua në 2 maj të vitit 2008. Dënimi i tij është konfirmuar nga Gjykata e Apelit dhe më pas nga Gjykata e Lartë. 12 ditë më pas Pali “shiti” aksionet tek e shoqja, për të shpëtuar kompaninë nga balta.
Por këta biznesmenë vazhdojnë të jenë të privilegjuar nga krybashkiakët dhe ministrat sepse ndajnë bashkë paratë e korrupsionit. Më 25 mars 2023, para fushatës së zgjedhjeve, kryebashkiaku Erion Veliaj i dha njԯ tender 2.2 miliardë lekë Fiqiri Palit. Qëllimi e justifikonte mjetin edhe në këtë rast! Korrupsioni me paranë publike ushqen vjedhjen e votave për pushtetin dhe vazhdon marrëdhënia.
Kështu, anëtarët e KPP për Fiqiri Palin nuk pyesin për ligin, megjithëse ky është i dënuar penalisht për korrupsion. Po ashtu, Pali rezulton i përjashtuar nga tenderat me vendim të APP deri në gusht 2026.
Me sa duket Fiorent Zguro po nxiton të shoqërojë kolegun e tij Jonaid Myzyri, që u shkarkua nga SPAK.
gijotina.com/









