Partia Demokratike ka sqaruar protestën e ditës së hënë, PD nuk ka nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë.
Në një deklaratë për mediat, selia blu duke i dhënë përgjigje edhe Partisë Socialistë e cila tha se po përpqiet të sjellë 1997, duke thënë se Ramës nuk i ka mbetur gjë tjetër përveçse të ngjallë frikë.
Deklarata e plotë
Partia Demokratike nuk ka nevojë për dhunë dhe nuk do të përfshihet kurrë në dhunë. Kauza e lirisë dhe e demokracisë është kauza më e fuqishme në botë dhe ne ndjehemi të fuqishëm në të drejtën tonë. Edi Rama duhet të mësohet me demokracinë dhe të drejtat e qytetarëve për të protestuar dhe për të shprehur mosbindjen e tyre civile.
Referencat e Edi Ramës ndaj 1997-ës janë veprime të dëshpëruara të një njeriu që edhe vetë e di se nuk i ka mbetur më asnjë justifikim për të qëndruar në pushtet, veç ngjalljes së frikës tek njerëzit. Frymëzuesit dhe drejtuesit politikë të 1997-ës Edi Rama i ka në krye të PS-së dhe në Kuvend bashkë me bandat e ‘97-ës qe po i liron një nga një nga burgu për të ruajtur me ta pushtetin e tij të kriminalizuar.
Protesta e opozitës do ta shpëtojë Shqipërinë nga krimi që ka sjellë Edi Rama. Me besimin tek vlerat e demokracisë dhe lirisë, ne do të vazhdojmë qëndresën tonë qytetare me çdo mjet demokratik deri sa të sigurojmë zgjedhjet e lira dhe të ndershme.