Partia Socialiste do të zhvillojë nesër një seri mbledhjesh të rëndësishme, në një moment të ngarkuar politik pas zhvillimeve të fundit brenda radhëve të saj.
Sipas burimeve, në orën 09:30 është parashikuar mbledhja e Kryesisë së Partisë Socialiste, ndërsa në orën 10:00 pritet të mblidhet edhe grupi parlamentar i mazhorancës.
Këto zhvillime vijnë pas njoftimit të deputetes së Qarkut Shkodër, Marjana Koçeku, e cila deklaroi largimin nga grupi parlamentar socialist dhe vijimin e mandatit si deputete e pavarur.
Koçeku nuk ka qenë e pranishme as në aktivitetet festive të 34-vjetorit të Partisë Socialiste, të zhvilluara në sheshin “Italia” në Tiranë, duke shtuar vëmendjen mbi qëndrimin e saj politik në ditët e fundit.
Në deklaratën e saj publike, ajo theksoi se bindjet dhe vlerat personale mbeten të pandryshuara dhe se ato kanë përcaktuar gjithmonë kufijtë e angazhimit të saj politik.
“Prej sot jam deputete e pavarur. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me një parti. Ato m’i diftojnë kufijtë”, ka deklaruar Koçeku.
Zhvillimet e fundit vijnë në një klimë të tensionuar politike, ndërsa në vend vijojnë edhe protestat kundër qeverisë në disa qytete.
gijotina.com/









