Në kuadër të Proçesit të Berlinit, ka nisur në Paris, Forumi Ekonomik, ku Shqipëria përfaqësohet nga ministrja e Ekonomisë, Milva Ekonomi.
Forumi Ekonomik nisi me fjalën përshëndetëse të komisionerit Johannes Hahn, i cili tha se “dalja e ndonjë vendi nga BE-ja nuk do të thotë ndalesë e integrimit të Ballkanit”.
Emigracioni, çështjet e sigurisë, përfshirë këtu luftën kundër ekstremizmit, punësimi, rritja ekonomike dhe bashkëpunimi mes të rinjve, do të jenë çështjet që do të diskutohen në Samitin e Parisit, i cili vjen në kuadër të “Procesit të Berlinit”, një nismë e ndërmarrë 3 vite më parë nga Kancelarja gjermane, Angela Merkel.
Por këtë herë, ky samit vjen në një kohë kur BE-ja është duke u përballur me problemet e saj të brendshme, pas referendumit për daljen e Britanisë nga unioni. E duket se ky zhvillim do të ketë ndikim edhe në tryezën e Parisit.
Megjithatë, ndryshe nga dy samitet e mëparshme, këtë herë fokusi është vendosur më së shumti te bashkëpunimi i të rinjve, pa lënë mënjanë edhe investimet në infrastrukturë.
Në Paris do të nënshkruhet marrëveshja për themelimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor, nismë kjo e kryeministrit të Shqipërisë dhe atij të Serbisë. Ajo do të ketë selinë në Tiranë dhe Komisioni Europian do të japë një milion euro, ndërsa do të paraqitet edhe skema e re pilote për 5 nëpunës civilë të rinj nga çdo vend i Ballkanit Perëndimor.
Pritet që në Paris të miratohen 3 projekte gjithsej, ndër të cilat ato tonat për rehabilitimin e hekurudhës Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e segmentit Tiranë-Rinas. Po ashtu edhe projekti hekurudhor i Serbisë dhe ai i Kosovës.