Lidhur me debatin për marrëveshjen e detit me Greqinë, ka ardhur edhe reagimi i parë nga ana e Presidentit, Ilir Meta.
Kreu i shtetit i është përgjigjur komenteve të ndjekësve të tij në rrjetet sociale, ku shprehet:“do të veproj konform Kushtetutës dhe kompetencave e përgjegjësive politike, ligjore e publike ndaj kësaj çështjeje”.
Reagimi i Metës:
Të dashur komentues, i jap të drejtë shqetësimit tuaj, të nxitur edhe nga lajmet dhe deklaratat e ndryshme lidhur me marrëveshjen e detit me Greqinë. Unë jam duke ndjekur me shumë vëmendje dhe kujdes, por jo me nxitim, këtë çështje të rëndësishme dhe si President i Republikës do të veproj konform Kushtetutës dhe kompetencave e përgjegjësive politike, ligjore e publike ndaj kësaj çështjeje. Marrëdhëniet me Greqinë janë shumë të rëndesishme dhe trajtimi i tyre me transparencë, gjithëpërfshirje dhe konform Kushtetutës, ligjeve ndërkombëtare dhe interesave reciproke të të dy vendeve do të kontribuonte pozitivisht për një progres të tyre, më të fortë, të qëndrueshëm dhe të dëshiruar nga të gjithë.