Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj tha se do t’i jepet fund situatës së shpërdorimit të ujit të pijshëm në vend, si dhe do të merren masa për rritjen e pagesave, me qëllim realizimin e investimeve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.
Në mbledhjen e sotme të Shoqatës për Autonominë Vendore, ku morën pjesë kryetarët e 45 bashkive të vendit, Veliaj vlerësoi nismën e kryeministrit Edi Rama për ndërprerjen e abuzimeve me ujin e pijshëm, ndërsa theksoi nevojën për rritjen e performancës në këtë sektor të rëndësishëm.
Veliaj shtoi se synimi është që për një kohë të shkurtër, 90% e konsumatorëve të pajisen me matësa uji, të cilët bëjnë një faturim të drejtë.
Ai nënvizoi se në përfundim të fushatës së ndërgjegjësimit dhe lidhjeve vullnetare, do të nisë identifikimi i abuzuesve, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Aksioni do të nisë nga bizneset abuzuese.
Veliaj shtoi se duke filluar nga data 1 shkurt, bashkitë do të fillojnë verifikimin e pagesave për punonjësit e tyre, të cilët do të nënshkruajnë një deklaratë dhe do të paraqesin edhe librezën e pagesave të ujit.